
Më në fund në shtëpi! Skuadra e futbollit e Wuhan, atje ku lindi koronavirusi, është rikthyer në qytetin që përfaqëson pas 104 ditësh.
Në muajin janar, kur në Wuhan shpërtheu koronavirusi, skuadra e këtij qyteti kinez u zhvendos në Spanjë për të zhvilluar fazën përgatitore, por atëherë askush nuk donte të luante ndeshje miqësore me ata pasi frikësohej mos infektohej me virusin e rrezikshëm.
Prej janarit, Wuhan Zall vijoi të qëndrojë në Spanjë, deri në mes të marsit, kur si pasojë e përhapjes së virusit në shtetin spanjoll, ata u detyruan të rikthehen në Kinë, si vend më i sigurt. Por atje i vendosën sërish në karantinë.
Më në fund, skuadra u rikthye në Wuhan nëpërmjet një treni nga Guangzhou. Për të pritur trajnerin Jose Gonzales dhe futbollistët, në stacion ishin mbledhur një grup i madh tifozësh të pajisur me maska dhe të gjitha masat e tjera mbrojtëse. (A2 Televizion)