Serie A e bllokuar, Ibra stërvitet me skuadrën që ka në pronësi

Nga A2 CNN
18 Prill 2020, 19:01 | Futboll
Serie A e bllokuar, Ibra stërvitet me skuadrën që ka në

Karantina është një proces i vështirë, sidomos për sportistët të cilët duhet të mbajnë fizikun në formë vazhdimisht. Stërvitja në kushtet e shtëpisë është një opsion, ajo në natyrë duke respektuar masat e sigurisë është një tjetër, por për Zlatan Ibrahimovic dhe karakterin e suedezit që të gjithë e njohin, kaq nuk mjafton.

Sulmuesi i Milanit, i gjendur në vendlindje këto javë, ka zgjedhur të stërvitet me skuadrën e Hammarby, klub në të cilin është bashkëpronar. Duke qenë se masat në shtetin nordik janë disa më të zbutura sesa në Itali apo kudo në Evropë, 38-vjeçari ka përfituar duke u ushtruar me të gjithë skuadrën e ligës së parë suedeze. “Është argëtuese. Na sjell rivalitet në skuadër. Njerëzit i gëzohen pranisë së tij këtu. Stërvitja me Zlatan është një mundësi e shkëlqyer”, thotë portieri i skuadrës, David Ousted.

Në pritje të vendimeve për rinisjen e kampionatit në Serie A, sulmuesi veteran ka zgjedhur të mos e humbasë mundësinë që i krijohet në vendin e tij. Prania e tij në Stokholm ka bërë që fansat e Hammarby të ëndërrojnë legjendën e kombëtares suedeze në ngjyrën e bardhë dhe jeshile. Kjo pasi, qershori, që është fundi i kontratës me “Djallin” përkon me nisjen kampionatit suedez. Duket e pamundur, megjithatë një lëvizje e tillë nuk dihet se si do të përkthej tek tifozët e Malmos, rivalëve të përjetshëm të Hammabay. Një statujë e tij e vandalizuar ndoshta do të ishte shumë pak… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos