
Në Katar janë zbuluar edhe tre raste të tjera me koronavirus mes punëtorëve në kantierët e stadiumeve të Kupës së Botës 2022, duke e rritur në 8 numrin e të infektuarve, në rrugën drejt turneut madhor.
Konfirmimi erdhi nga organizatorët e eventit, ndërsa në shtetin e Gjirit Persik janë raportuar 7 viktima dhe mbi 4 100 të prekur nga COVID-19. Puna për impiantet dhe infrastrukturën e nevojshme për turneun ka vijuar, pavarësisht përhapjes alarmante të virusit të ri. Ndërtimi nuk është ndalur, edhe pse Katari ka vendosur mbylljen e xhamive, të parqeve dhe restoranteve.
Sipas Komitetit Suprem për Ndërtimin dhe Trashëgiminë, mes të prekurve janë pjesëtarë të stafit të tre nga shtatë stadiumet që po ndërtohen nga themelet për Botërorin 2022.
Në njoftimin zyrtar theksohej se të gjithë punëtorët e infektuar do të vijojnë të paguhen dhe të përfitojnë kujdes shëndetësor falas. Për momentin ende mbetet për t’u parë nëse rastet e reja me koronavirus do të ndikojnë në ndërtimin e impianteve dhe në afatet e turneut, i cili është parashikuar të zhvillohet nga muaji nëntor deri në dhjetor të vitit 2022. (A2 Televizion)