
Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, kërkoi falje për dështimin në luftimin e flakëve që kanë gjunjëzuar vendin, edhe pse theksoi se përballeshin me një katastrofë natyrore të paprecedentë. Teksa premtoi se do të identifikonin çdo dështim të mundshëm, lideri grek njoftoi se kishte miratuar një buxhet shtesë prej 500 milionë eurosh për rindërtimin dhe kompensimin e atyre që kishin humbur banesat dhe pronat.
“Përmasat e shkatërrimit, veçanërisht në Evia dhe Atikë na copëtojnë zemrën dhe unë jam i pari që kërkon falje për çdo dobësi që ka ekzistuar. E kuptoj dhimbjen e qytetarëve që panë shtëpitë të digjen apo që u detyruan t'i braktisin ato. Zemërimi publik është përshkallëzuar ditët e fundit, lidhur me vonesat dhe mangësi në reagimin e qeverisë, përfshirë edhe mungesën e hidroplaneve”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Qindra zjarrfikës vijojnë betejën me flakët masive që kanë detyruar evakuimin e mijëra qytetarëve dhe kanë shkatërruar dhjetëra godina. Kolona të mëdha tymi ngrihen mbi ishullin e Evias, i cili po digjet prej një jave. Pamje apokaliptike kanë ardhur prej ishullit në verilindje të Athinës, ku dhjetëra shtëpi e sipërfaqe të mëdha toke janë shkrumbuar. Kryeministri fajësoi krizën klimatike për situatën në vend, ndërsa pak orë më parë një raport i OKB-së kishte paralajmëruar se aktiviteti njerëzor po i bënte fenomenet ekstreme më të shpeshta.
“Ditët e fundit kanë qenë më të vështirat për vendin tonë, në dekada. Luftuam e vijojmë të luftojmë një betejë me të gjitha forcat, por përballimi me një katastrofë natyrore të paprecedentë. Në vetëm pak ditë, 586 vatra u aktivizuan rreth vendit dhe për shkak të valës së paprecedentë të të nxehtit dhe thatësirës ishte e vështirë të shuheshin”, tha Mitsotakis.
1 person humbi jetën të hënën kur një buldozer ra në një shkëmb gjatë një zjarri, duke e çuar në 3, totalin e viktimave. Të tjerë janë shoqëruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Mbi 1 mijë zjarrfikës, avionë dhe pajisje shtesë janë dërguar nga vendet e tjera. BE-ja tha se po mobilizon një prej operacioneve më të mëdha zjarrfikëse, për të ndihmuar Greqinë dhe vendet e tjera të luftojnë flakët. (A2 Televizion)