3 vjet nga votimi i reformës, vendi pa ILD. Mbi 600 ankesa në pritje

Nga A2 CNN
6 Gusht 2019, 19:47 | Aktualitet
3 vjet nga votimi i reformës, vendi pa ILD. Mbi 600 ankesa në pritje

Më shumë se tre vjet nga ndryshimet kushtetuese që shënjuan nisjen e Reformës në Drejtësi, vendi nuk ka ende Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Sipas ligjit, ILD është autoriteti që shqyrton ankesat dhe heton gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për shkelje administrative. Kalimi i filtrit verifikues të KED nga Marsida Xhaferrllari çoi në katër numrin e kandidatëve të lejuar për këtë pozicion.

Ajo do të konkurrojë me Artur Malajn, Artur Metanin dhe Eris Hysin. Kandidimi nuk iu lejua vetëm pretendentit Klodian Rado. Nëse nuk do të ketë një vendim gjykate që rrëzon KED-në për moslejimin e kandidaturës së tij, gara mbetet me 4 vetë, ndërkohë që ligji kërkon të paktën 5 kandidatë.

Kjo lë të hapur mundësinë e rihapjes së garës nga e para, çka do ta shtynte me 3-4 muaj të tjerë ngritjen e ILD-së, një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re.

Nga ana tjetër, ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka kush i heton. Burime pranë KLGJ dhe KLP bënë me dije për A2 CNN se totali i ankesave në pritje të shqyrtimit ka kaluar shifrën 600 dhe ka trend rritës nga dita në ditë. Sipas burimeve, çdo ankesë është protokolluar dhe arkivuar dhe do t’i përcillet Inspektoratit pas formimit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos