
Në 30 vjetorin e Forumit Rinor Eurosocialist, kryeministri Edi Rama u ndal te nocioni i politikës. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se edhe pse politika ka hyrë në fjalorin e fjalëve të pista, ajo është mundësia e vetme për orientimin kolektiv. Duke sjellë në vëmendje Politikën e Platonit në antikitet, ai theksoi se është themeltare për njerëzimin si përmasa natyrale për njeriun.
“Fjala politikë ka hyrë në fjalorin e fjalëve të pista dhe politikanët në një kategori të mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat dhe shkarravitjet mbi muret e rrjetit të metrosë sociale aty ku friends-at hyjnë e dalin pa ndërprerje në lëvizje pa busull e drejtim. Politika shkelet me këmbë ndërkohë që është mundësia e vetme për orientimin kolektiv që ne trashëgojmë nga historia e njerëzimit.
Politika lidhet drejtpërdrejt me kërkimin e të mirës. Platoni e përkufizonte si art mbretëror, ai shpjegon një nga mitet më të famshme të antikitetit grek atë të Prometeut. Politika konsiderohej në ato kohëra si themeltare për njerëzimin si përmasa natyrale për njeriun. Politika u dha mundësinë njerëzve që të jepnin e merrnin me njëri-tjetrin dhe të trajtonin çështjet e bashkëekzistencës së tyre dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta që të vetëm nuk i zgjidhnin dot. Njeriu është e vetmja kafshë politike, të tjerat janë vetëm kafshë. Politika ekziston para demokracisë dhe formimit të shteteve”.
Nga ngjarjet e 6 janarit një vit më parë në Kapitol, tek ato në Partinë Demokratike më 8 janar, Rama tha se zgjerimi i hendekut mes njerëzve dhe politikës bëhet edhe më i frikshëm pasi politikanët humbasin busullën e së ardhmes.
“Rënia dramatike e interesit për politikën përkon me rritjen e nevojës për politikën, ndërkohë që bota përballet me sfida të reja dhe të frikshme që shfaqen para nesh si çarje të frikshme të akullnajave duke e bërë kërcënues hendekun mes tyre, politikës dhe politikanëve që duhet të vendosin mbi zgjidhjen. Ne kemi hyrë në kohë krizash zinxhir. Nga krizat që mbulojnë globin te krizat që shfaqen brenda rrethimit të kodrave të fshatit. Zgjerimi i hendekut mes njerëzve dhe politikës bëhet edhe më i frikshëm nga lehtësia politikanët u kthehen kuajve të së shkuarës pasi humbin busullën e së ardhmes. Kush mund ta përfytyronte atë që na pamë sytë në 6 janarin e një viti më parë u sulmua tempulli i politikës amerikane, apo ato pak ditë më parë në 8 janar te oborri i një partie politike që u kthye në reality show me politikanë realë por të arratisur pas në kohë nga mesjeta dhe me godinën e partisë të kthyer në kështjellë”.
Por pavarësisht kësaj problematike, Rama thekson se politika mbetet e patjetërsueshme për bashkëjetesën mes njerëzve për progresin ekonomik dhe shoqëror për paqen e sigurinë.
“Dua të ndaj me ju bindjen time se pavarësisht problematikës që është reale, që i fryn erëra kundër politikës nga të katër anët dhe përtej klikimeve e like-ve që hidhen si rrobat e gabit që të zë koka, politika mbetet e patjetërsueshme për bashkëjetesën mes njerëzve për progresin ekonomik dhe shoqëror për paqen e sigurinë”.
Për kreun e qeverisë, pa politikën nuk do të ekzistonin kombet dhe po aq të drejtat dhe liritë njerëzore.
“Pa politikën nuk do të ekzistonte paqja, kushtetuta, as Shqipëria, as Kosova e pavarur, as vetë demokracia dhe nuk do të njiheshin liritë dhe të drejtat universale të njeriut. Pa politikën nuk do të kishin lindur idetë e barazisë gjinore, mbështetjes publike dhe një pafundësish të mirash dhe zgjidhjes”. (A2 Televizion)