38 të vrarë në një ditë në Mianmar, reagojnë ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
4 Mars 2021, 13:24 | Bota
38 të vrarë në një ditë në Mianmar, reagojnë

Të paktën 38 persona u vranë në Mianmar ditën e mërkurë, në atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilësoi si ditën më të përgjakur që prej grushtit të shtetit një muaj më parë. E dërguara e posaçme e OKB-së në vend, Christine Schraner Burgener, tha se pamje tronditëse po vinin nga Mianmari.

Sipas dëshmitarëve, forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj manifestuesve të një sërë qytetesh, përfshirë Yangonin. 3 të rinj të moshës 14, 17 dhe 19-vjeçare, ishin mes personave të vrarë sipas organizatës “Save the Children”.

E dërguara e OKB-së tha se të paktën 50 persona ishin vrarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur qe prej 1 shkurtit, kur ushtria mori pushtetin me forcë. Sipas saj, në një video shfaqet policia tek rreh një vullnetar mjekësor të paarmatosur.

Në një tjetër, duket një protestues teksa qëllohet me armë në rrugë. Ndërsa e gjithë bota po ndjek e shqetësuar zhvillimet në Mianmar, ushtria tha se është e gatshme të përballet me sanksionet dhe izolimin pas grushtit të shtetit. Zyrtarja e lartë e OKB-së Schraner Burgener i kërkoi organizatës të ndërmarrë masa shumë të forta kundër gjeneralëve.

Sanksione të mundshme po konsiderohen nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi ashpër ndaj dhunës së shënuar të mërkurën, me zëdhënësin Ned Price që u bëri thirrje të gjitha vendeve të dënojnë brutalitetin ushtarak. Ndërkaq, Papa Fraçesku kërkoi që dialogu të dominojë ndaj represionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos