38 vjet burg për krimin që nuk e kreu, ADN-ja ndryshon ‘fatin’ e të dënuarit

Nga A2 CNN
29 Tetor 2022, 19:39 | Bota
38 vjet burg për krimin që nuk e kreu, ADN-ja ndryshon

Një burrë amerikan arriti të fitojë lirinë, pas gati katër dekadash, pasi testi i ADN-së tregoi se autori i vrasjes për të cilën ai u dënua ishte një person tjetër.

Maurice Hastings kreu më shumë se 38 vjet burg për vrasjen e Roberta Wydermyer në vitin 1983 në Kaliforni dhe dy tentativa për vrasje. Por provat e reja të ADN-së treguan se autori i vërtetë ishte një person tjetër që ndërroi jetë në burg në vitin 2020.

Prokurori i qarkut të Los Angeles, George Gascón e përshkroi dënimin e Hastings si një padrejtësi të tmerrshme.

Roberta Wydermyer u gjet në bagazhin e makinës së saj me një plagë arme zjarri në kokë. Ajo më parë ishte sulmuar seksualisht.

Hastings u akuzua më pas për vrasje dhe prokurorët kërkuan dënimin me vdekje, por juria e dënoi në vitin 1988 me burg përjetë pa mundësinë e lirimit me kusht.

Ai gjithnjë kishte insistuar në pafajësinë e tij, e cila arriti të vërtetohej vetëm pas 38 vitesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos