42 milionë amerikanë tashmë kanë votuar, Obama del në krah të Biden

Nga A2 CNN
22 Tetor 2020, 07:56 | Bota
42 milionë amerikanë tashmë kanë votuar, Obama del në

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është shfaqur për herë të parë në fushatën elektorale të demokratëve, për të mbështetur ish-krahun e tij të djathtë, për 8 vite, kur ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden e që pas 13 ditësh do të përballet me Donald Trump në një garë që ai e konsideron vërtet të ngushtë.

Obama, ende një nga personazhet kryesore të Partisë Demokratike në SHBA dhe një shënjestër e vazhdueshme e presidentit Trump gjatë këtyre viteve dhe në këto ditë fushatë, nisi takimet me politikanët me ngjyrë në Filadelfia, përpara se të zhvillonte më pas takime në rrugë me qytetarë, të cilëve u kërkoi votën për Joe Biden.

“Kurrë nuk e humba shpresën këto 4 vitet e fundit. Kam qenë i mërzitur, i nevrikosur, kam qEnë i frustruar, por kurrë nuk e humba shpresën”, u shpreh Obama.

Ndërkohë, numri i amerikanëve që kanë votuar, tashmë, për presidentin e ri amerikan, përmes postës apo në qendrat e votimit, i ka tejkaluar 42 milionë. Ditët e fundit të fushatës, të dy rivalët Trump e Biden do të zbarkojnë në ato që konsiderohen si fushëbeteja, Karolina e Veriut, Pensilvania, Winsconsin, Ohio dhe Miçigan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos