
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli rreth procesit të vaksinimit, ku tha se tashmë 47% e popullsisë e ka marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.
Më tej, Manastirliu ndau lajmin se nga sot të gjithë personat mbi 18 vjeç, kanë mundësinë të marrin dhe dozën e tretë të vaksinës.
“Në Shqipëri, 47% është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë. 42% e popullatës target mbi 16 vjeç. I referohem këtu shifrave për grupin që kemi synim të vaksinojmë, sepse do të doja këtu të jepja dhe një informacion tjetër që është po kaq i rëndësishëm. Nga sot, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë”, tha Manastirliu.
Manastirliu, gjithashtu, bëri me dije se qeveria ka garantuar financimin për vaksinat, me qëllim përmbushjen e programit kombëtar të vaksinimit anti-covid.
“Qeveria shqiptare ka garantuar vaksinat dhe ato janë të disponueshme për të gjithë popullatën e targetuar. Deri më sot, qeveria shqiptare ka financuar për blerjen e vaksinave anti-Covid 36 milionë USD. Kemi parashikuar edhe 27 milionë dollarë për vitin e ardhshëm, me qëllim përfundimin e programit kombëtar të vaksinimit anti-covid”, bëri me dije Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit, janë kryer në total 2 111 797 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 1 075 332 doza të para; 965 964 doza të dyta; 70 501 doza të treta. (A2 Televizion)