48-vjeçarja ndërroi jetë pasi takoi kryetaren e bashkisë së Lushnjës, reagon Sefa

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2022, 13:29 | Aktualitet
48-vjeçarja ndërroi jetë pasi takoi kryetaren e bashkisë

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, ka reaguar për ngjarjen e një dite më parë brenda institucionit që ajo drejton ku humbi jetën Shpresa Cani, 48 vjeçe.

Në reagim, Sefa sqaron se ka takuar 48-vjeçaren, e cila kërkonte një ndihmë shtesë, veç 11 915 lekëve që merrte si invalide, pasi jetonte vetëm me babanë. Më pas, sipas Sefës, ajo nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë.

“Sa i përket ngjarjes, sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetasja Shpresa Cani, e cila kërkoi takim me Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa. Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkise priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorine PAK si Invalide e plote nga KMCAP me diagnoze Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagesë mujore 11 915 lekë. Shtetasja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babanë dhe kërkoi nga Bashkia që përveç trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babanë e saj edhe nga ky institucion. Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa thërriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnjë për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit. Pati një dakordësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq. Menjëherë, është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, Edvin Ndreu. Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares së Bashkisë përgënjeshtron dhe shpreh keqardhje për informacionet abuzive të shpërndara në media lidhur me dinamikën e ngjarjes. Në ambientet e bashkisë Lushnjë dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes Zonjës Cani dhe përfaqësuesve të bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihme shtesë për të interesuarën.

Sqarojmë gjithashtu që Zonja Cani është trajtuar me ndihma emergjente sipas programeve të miratuara nga këshilli Bashkiak. Sjellim në vëmendje të mediave dhe të opinionit publik se e ndjera Shpresa Cani nuk ka qenë e trajtuar me ndihme ekonomike (sikurse publikuan disa media) pasi ajo trajtohej me pension invaliditeti! Përsa më sipër lutemi që mediat të jenë serioze dhe të mos abuzojnë me informacionin, aq më tepër që përpara publikimit të lajmeve nuk ka pasur asnjë kontakt për të dëgjuar zyrtarisht reagimin e Bashkisë për këtë ngjarje”, (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos