
Këtë të mërkurë në “A2 Business” në A2 CNN u diskutua për rritjen e çmimeve të ushqimeve me rastin e festave të fundvitit por edhe për mënyrat që shqiptarët zgjedhin për të kaluar natën e ndërrimit të viteve.
Ekspertët e ftuar në studio bënë thirrje që këtë vit të festojmë dhe të konsumojmë produkte shqiptare në mënyrë që t’i japim një dorë ekonomisë.
Megjithatë, Besnik Vathi, anëtar i bordit të Shoqatës së Tur-Operatorëve tregoi se numri i qytetarëve shqiptarë që po shkojnë t’i kalojnë festat jashtë vendit është rritur edhe në raport me vitin më të mirë para pandemisë.
Rritjen e shifrave ai ia atribuoi heqjes së rregullave anti-covid por edhe futjen e kompanive që mundësojnë udhëtime me kosto të ulëta.
“Numri i atyre që po shkojnë për të kaluar festat e fundvitit jashtë vendit, është rritur edhe në raport me vitin më të mirë para pandemisë. Dhe kjo i atribuohet dëshirës për të lëvizur pas një sezoni të gjatë të mbyllur dhe mundësia më e madhe me kompanitë ajrore që janë futur së fundmi në Shqipëri. Ka dy herë e gjysmë më shumë destinacione me fluturime direkte. Edhe numri i të huajve që futen në Shqipëri është më i madh,” u shpreh ai.
Vathi tregoi se për Vitin e Ri ka një traditë e 7-8 viteve të fundit të turistëve që vijnë nga Bullgaria dhe më pas filluan edhe serbët, dhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut.
“Kjo rritje nuk është rritje pasojë e rritjes së standarit, mendoj është më shumë rritje e një mundësie pas frenimit që ka ardhur si pasojë e Pandemisë. Lirimi i aeroportit e shfrenoi lëvizjen dhe prandaj shihet një rritje,” shtoi ai.
Destinacionet kryesore që po zgjedhin së fundmi shqiptarët janë Dubai, Stambolli, Parisi, Barcelonë, Madrid, Amsterdam, Romë, Firencë, Vienë, Budapest. Edhe në rajon në Mal të Zi, në Ulqin, 500 veta në Ulqin që kanë prenotuar në një resort të madh buzë detit.
Ndërsa komentonte shifrat e bëra të ditura nga anëtari i bordit të Shoqatës së Tur-Operatorëve, deputetja socialiste Pranvera Resulaj u shpreh optimiste se ky mund të jetë një indikator që shtresa e mesme e vendit po konsolidohet.
"Nuk po udhëtojnë njerëzit më të pasur. Por është shtresa e mesme më së shumti. Dhe kjo tregon se kemi një shtresë të mesme të konsoliduar. Udhëtimet turistike janë edhe formim kulturor për individin. Do të bëjmë shumë mirë të konsumojmë sa më shumë produkte vendëse," u shpreh ajo. (A2 Televizion)