Shembja masive e gurëve prej dy ditësh ka bllokuar rrugën Grykë-Çajë në Kukës. Kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka parë nga afër shembjen e gurëve në rrugën Lapaj- Grykë- Çajë.
Gjici, bëri me dije se janë në pritje të specialistëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave dhe forcave emergjente të ushtrisë, pasi duhet ndërhyrje më e specializuar në hapjen e rrugës dhe vlerësuar situatën që mos të ketë shembje të tjera.
Rruga e bllokuar Lapaj-Grykë Çajë, është rruga lidhëse e katër fshatrave që ka njësia e Grykë-Çajë. Po ashtu kjo rrugë bën pjesë në aksin rrugor Kukës-Dibër, çka do të thotë që monitorimi për shembje duhet të jetë i vazhdueshëm për të siguruar lehtësimin e lëvizjes së banorëve që kalojnë këtë rrugë.
Për pasojë 4 fshatra me mbi 1000 banorë kanë mbetur të bllokuar dhe nuk kanë asnjë komunikim me pjesën tjetër të Kukësit.
Ndërkohë mjetet e emergjencave civile të bashkisë janë në terren por për shkak të rrezikshmërisë të terrenit dhe skarpatet mbi rrugë është e pamundur futja e tyre për hapjen e rrugës. (A2 Televizion)