486 të arrestuar në revoltën e radhës  në Francë, protestat “infektojnë” dhe Zvicrën

Nga A2 CNN
2 Korrik 2023, 08:03 | Bota

Ka vijuar në Francë, për të pestën natë radhazi dhuna urbane në lidhje me vrasjen nga policia të 17-vjeçarit Nahel në Nanterre .

Ministria e Brendshme konfirmon se situata ka qenë më e qetë falë organizimit të policisë, teksa 486 persona janë arrestuar në Paris, Marseille, Lyon e Nice, pjesa më e madhe e të cilëve në kryeqytet.

Mbi 45 mijë policë ishin angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, teksa autoritetet konfirmojnë se pjesa më e madhe e të arrestuarve janë fëmijë që nuk i kalojnë 17 vjeç.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin e ndoqi zhvillimin e situatës nga qendra komanduese në Paris, ku më pas iu bashkua edhe kryeministrja Elisabeth Borne.

Dhuna e ditëve të fundit detyroi presidentin Macron të anulojë vizitën e planifikuar shumë kohë më parë në Gjermani, e cila nuk ndodhte për një president francez që prej 23 vitesh.

Ka qenë një natë e qetë në Nanterre, ku është bërë varrimi i 17-vjeçarit të vrarë në një postbllok. Edhe në kompleksin rezidencial Pablo Picasso ku jetonte i riu situata ishte e qetë.

Ndërkohë që revolta franceze ka infektuar dhe Zvicrën. Përleshje të dhunshme janë regjistruar gjatë natës mes protestuesve dhe policisë në Lozanë. Në lagjen Flon protestuesit thyen dhe grabitën disa dyqane për t’u përballur më pas me trupat speciale të policisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos