
E vetmja gjë që mungon në karrierën e Marc Marquez është një rikthim legjendar nga dëmtimi. Pikërisht këtë gjë, piloti spanjoll i MotoGP është gati ta realizojë vetëm 5 ditë pas operimit të krahut të djathtë.
6 herë kampioni i botës u aksidentua të dielën e kaluar, u operua ditën e martë, ditën e mërkurë u rikthye në shtëpi dhe mëngjesin e kësaj të enjteje erdhi lajmi i pabesueshëm. “Pas operacionit të suksesshëm të së martës, Marc Marquez rikthehet në Jerez”, shkruhet në Twitter-in e skuderisë Honda, postim i cili shokoi mbështetësit e tij.
Faktori kyç i rikthimit të Marquez lidhet me faktin që fraktura nuk ka prekur nervin radial të krahut, çka e bën rekuperimin e dëmtimit shumë më të lehtë. Spanjolli u shfaq ndërsa u kthye nga operimi me krahun të fashuar dhe paraprakisht u mendua për një ndalesë të paktën 2-mujore të pilotit. Megjithatë shumë prej mbështetësve të tij i tremben një rikthimi kaq të shpejtë, pasi një tjetër rrëzim mund t’i kushtojë sezonin spanjollit. (A2 Televizion)