5 të prekur nga koronavirusi në një resort skish në Francë, hetime për vdekjen e mjekut që e zbuloi

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2020, 17:37 | Bota
5 të prekur nga koronavirusi në një resort skish në

Komisioni Kombëtar i vëzhgimit në Kinë do të dërgojë në Wuhan, një ekip special që do të hetojë vdekjen e doktorit, Li Venliang, mjeku që ishte i pari që ngriti alarmin për koronavirusin, e vdekja e të cilit tronditi opinionin publik.

Li u raportua i vdekur në Wuhan më 7 shkurt. Simptomat kishin nisur që më 10 janar, pas disa ditëve me temperaturë të lartë dhe vetë mjeku, kishte pranuar të shtrohej në spitalin ku vetë punonte, 2 ditë më vonë.

Ai u konfirmua i prekur nga virusi vdekjeprurës më 1 shkurt, edhe pse i ishte nënshtruar terapisë intensive.  Ndërkohë këtë të shtunë, autoritetet shëndetësore kineze flasin për mbi 720 viktima nga koronavirusi ndërsa 34 mijë ka shkuar numri i atyre që janë prekur prej tij.

Sipas Komisionit Kombëtar te Shëndetësisë, në Kinë numri më i madh i rasteve të reja është regjistruar në provincën e Hubeit dhe kryeqytetin e saj, Wuhan, epiqendrën e përhapjes së virusit që godet sistemin e frymëmarrjes.  

Në pjesën më të madhe të shteteve aziatike, është ngritur alarmi nga autoritetet. Në Singapor, Malajzi e Hong Kong, qytetarët kanë zbrazur marketet, duke siguruar ushqime mjaftueshëm për një muaj, me qëllimin për t’u izoluar në shtëpi. Këto vende u prekën rëndë nga virusi të rënda si SARS dhe H1N1 në 2003 dhe 2009, ndaj përballjen me koronavisurin nuk e kanë për herë të parë.

Ndërkohë që virusi vijon të shtojë të prekurit dhe në Evropë. 5 britanikë, mes të cilëve, një fëmijë rezultuan të prekur nga koronavirusi në një resort skish në Alpet franceze. Ende është e paqartë se ku është infektuar grupi i turistëve dhe për këtë arsye 11 personat që kishin udhëtuar bashkë janë izoluar në dy apartamente në Contamines-Montjoie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos