54 minuta më shumë ujë, arrin në 16.3 orë në ditë koha e furnizimit, përkeqësohet treguesi i kostove

Nga A2 CNN
15 Mars 2023, 16:07 | Aktualitet
54 minuta më shumë ujë, arrin në 16.3 orë në

54 minuta... kaq kohë fituan shqiptarët në furnizimin me ujë vitin e shkuar. Të dhënat nga Enti Rregullator i Ujit tregojnë se koha e furnizimit gjatë 2022-shit u rrit në 16.3 orë në ditë nga 15.4 që ishte në vitin 2021, ndërsa mbulimi arriti në 78 për qind.

Të dhënat tregojnë se sasia e ujit për të cilin nuk grumbullohen të ardhura ra në 63.4 për qind, norma e arkëtimit u rrit në 78.6 për qind. Përmirësim kanë pasur edhe treguesit që lidhen me nivelin e matjes dhe eficiencën e stafit, ndërsa u përkeqësua mbulimi i kostove të operimit duke rënë me gati 13 për qind.

Arsyen e përkeqësimit të këtij treguesi i bëri të ditur kryetari i bordit drejtues të Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese.

“Ka pësuar këtë rënie për shkak të shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike vitin e shkuar. çmimi i energjisë ndikon direkt te performanca e sektorit”

Ndriçim Shani kryetar i bordit drejtues të ERRU

Ecuria e sektorit të ujit nuk kënaqi deputetin socialist Ismail Beqiraj, të paktën në një drejtim, atë të ujit për të cilin nuk arkëtohet asnjë qindarkë.

“Uji pa taksa mbetet një ndër problemet kryesore që ende nuk po merr zgjidhje dhe unë mendoj se këtu biem të gjithë dakord.”

Ismail Beqiraj, deputet i PS

Ndërkohë, Deputeti Demokrat Luan Baçi kërkoi më shumë sqarime lidhur me reformën te ujë-sjellësat vitin e shkuar të cilat ja dha kreu i ERRU

“Mbi cilat kritere u ndërmor reforma për reduktimin në 15 të ujë-sjellësave në vend dhe a përbën problem fakti që 51 për qind e aksioneve kontrollohen nga qeveria?

Luan Baçi, deputet i PD

“Nuk është matematikë. Ka edhe aspekte subjektive. Është studiuar terreni etj. U mendua fillim edhe një ndërmarrje për gjithë Shqipërinë.”

Ndriçim Shani kryetar i bordit drejtues të ERRU

Në komision u diskutua edhe për cilësinë e furnizimit me ujë, por pyetjes se “A është i pijshëm uji me të cilin furnizohemi” nuk arriti të merrte përgjigje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos