70 vite duartrokitje, teatri i Durrësit feston me ikonat e skenës

Nga A2 CNN
14 Janar 2023, 17:48 | Aktualitet
70 vite duartrokitje, teatri i Durrësit feston me ikonat e skenës

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit festoi 70-vjetorine themelimit të tij. Aktiviteti artistik me një trupë prej 14 aktorësh profesionistë me pjesën teatrale “Vajza nga fshati”.

Ishte 11 janari i vitit 1953, kur në godinën e ish-kinema ‘14 nëntori’ nisi rrugëtimi i disa brezave aktorësh, që lanë gjurmën e tyre në skenën e këtij teatrit të Durrësit dhe jo vetëm në skenën e quajtur tanimë “Aleksandër Moisiu”.

Me një prelud dokumentar, të përgatitur nga regjisorja Driada Dervishi dhe Julian Shyti publiku në sallë pati mundësi të njihej me historikun e gjatë, të vështirë dhe të bukur të 7 dekadave jetë të trupës teatrore të Durrësit.

Me energjinë e pashtershme që i karakterizon, ikona të skenës durrsake si Aishe Stari, Hysen Bashhysa, Xhelal Tafaj dhe Sanie Hoti interpretuan edhe njëherë para publikut, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme.

Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi gjatë fjalës së tij kërkoi që teatrit të Durrësit t’i jepet titulli “Nderi i kombit”.

Aktori Xhelal Tafaj kujtoi një detaj të trishtë të historisë së këtij teatri, kur trupa profesioniste që në vitet 80 numëronte 32 aktorë, një dekadë më pas kishte vetëm 3 të tillë. Në këtë përvjetor u nderuan me certifikatë mirënjohjeje 16 aktorë e regjisorë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. E emocionuar, regjisorja e mirënjohur Driada Dervishi tha se ky vlerësim vjen në nderim të punës dhe përkushtimit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos