
Rritja e pagës minimale po kthehet në një shqetësim në krahun tjetër të peshores: atë të pagës maksimale. Si për bizneset, ashtu edhe për të punësuarit e mirëpaguar, sa herë që qeveria e ndërmerr këtë hap, më shumë para duhet të dalin nga xhepi për të paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore shtesë.
“Është parë që një kategori, po themi 24 mijë punëmarrës paguanin sigurimet e tyre të llogaritura mbi pagën maksimale dhe është vënë re që me rritjen e pagës maksimale prej 1 prillit, për shkak të kostove të shtuara kanë nisur të fshehin pagat reale”, tha Avni Tobli, ekspert kontabël.
Para 1 prillit, midis kompanisë dhe punëmarrësit paguheshin maksimalisht 41.837 lekë për kontributet. Ndërsa me rritjen e pagës maksimale në 176 mijë lekë, këto kontribute u katapultuan në 49.220 lekë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vetë përfituesi kryesor i kontributeteve shoqërore për skemën e pensioneve, tashmë propozon ndryshime në ligj, që paga maksimale të rritet njëlloj në vlerë dhe jo në përqindje me pagën minimale. Kjo do ta lehtësonte ndjeshëm këtë barrë për rritjet në të ardhmen të pagës minimale.
“Unë jam i prirur ta shikoj këtë si një ndërhyrje që rregullon dhe favorizon vetëm një kategori punëmarrësish, një pjesë e mirë e të cilëve të punësuar në administratën publike. Mund të them që nuk është se ndikon te pjesa e madhe e bizneseve që do të vijojnë të paguajnë më shumë për sigurimet”, tha Avni Tobli, ekspert kontabël.
Nëse miratohen brenda këtij sesioni Parlamentar, propozimet e ISSH do t’i shtrijnë efektet gjatë rritjeve të ardhshme të pagës minimale, por nuk do të ulnin vlerën që kompanitë dhe individët po paguajnë shtesë që pas rritjes së fundit. (A2 Televizion)