
Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare, i ftuar në “A2 Business” me Aurora Sulçen, ka folur në lidhje me çështjen e gjurmimit të parasë, në drejtim të zbulimit të skemave të pastrimit të parasë në vendin tonë.
Sipas Gjergjit, zbulimi i të tilla skemave sigurisht që kërkon infrastrukturën e nevojshme, veçanërisht burimet njerëzore por edhe ato teknologjikë.
Z. Gjergji, dihet në të gjithë botën, “follow the Money” (ndiq paranë), ose gjurmimi i parasë për të arritur te burimi. A është e vështirë që të zbulohen skemat e pastrimit të parasë në Shqipëri, bazuar në këtë filozofi?
Zbulimi i skemave normalisht kërkon infrastrukturë. Infrastruktura janë burimet njerëzore por edhe elementët teknologjike. Infrastruktura duhet të jetë e ngritur, ndërkohë që duhet investuar shumë te burimet njerëzore. Ndërkohë, në teknologji, mendoj që qeveria ka bërë shumë përpara në aspektin primar të fjalës, ndërkohë që lë shumë për të dëshiruar tek ato shërbime që reduktojnë qarkullimin e cash-it në ekonomi. Shërbimet elektronike janë jashtë mase të rëndësishme dhe një rol të rëndësishëm në këtë drejtim e ka Banka e Shqipërisë. (A2 Televizion)