
Artan Gjergji, ekspert për tregjet financiare, i ftuar në “A2 Business” me Aurora Sulçen, ka folur në lidhje me raportin më të fundit të “Moneyval”, i cili ndër të tjera vlerëson progresin e bërë nga vendi ynë në aspektin ligjor.
Progresi i bërë në aspektin ligjor që vlerëson “Moneyval”, sa domethënës është dhe sa reflektohet në realitet?
Në qoftë se i referohemi “Moneyval” në raportin e fundit që sapo është publikuar gjykohet që kemi një farë përmirësimi në kuadrin legjislativ të fjalës, pra sidomos me ato që quhen “kontrata ligjore” me kontratat që kanë të bëjnë me marrëdhënien e besueshmërisë së përfaqësimit, dhe nëse do të përdornim fjalë më të thjeshta, bëhet fjalë për legjislacionin që merret me aksionarët fundorë. Nuk mendoj se është bërë ndonjë zhvillim më i madh se çka qenë. Dhe kjo gjë është pasqyruar te vlerësimi që ka bërë “Moneyval”, me kërkesë të qeverisë shqiptare. Kështu që autoritetet shqiptare e dinë shumë mirë se ku kanë ndërhyrë, në ato aspekte të kuadrit rregullativ dhe me të drejtë, shteti ka të drejtë ti kërkojë “Moneyval” që të bëjë vlerësim.
Po kjo është ndoshta edhe procedurale, konkretisht këto përmirësimi ligjore, a reflektohen, a bën që të kemi një kontroll më të madh të qarkullimit të parasë?
Unë nuk mendoj se kemi ndonjë zhvillim shumë të madh. Një problematikë që identifikohet është mungesa e zhvillimeve pozitive në fushën e lojërave të fatit. Pra, unë nuk mendoj se kemi ndonjë zhvillim pozitiv në tërësi. Ne problemin kryesor e kemi te sektori i ndërtimit, te faza primare, përpara se pasuritë e patundshme të vijnë në tregun sekondar. Aty në gjykimin tim, nuk kemi asnjë lloj supervizimi. (A2 Televizion)