Trajneri i Partizanit U18 u bë temë kryesore në opinionin sportiv, pasi u publikua një video ku ai duket duke shtyrë një nga lojtarët e tij në fushën e lojës.
I ftuar në studion e “Dita Jonë” në A2CNN, Aldo Duro shpjegoi atë që ka ndodhur.
“Nuk kishte dashakeqësi. Ishte një incident që mund t’i ndodhë kujtdo në fushë. Me lojtarin në fjalë dhe më të gjithë në ekip i kemi marrëdhëniet shumë korrekte. Lojtarit i kam kërkuar disa herë të falur. I kam kërkuar falje edhe të gjithë djemve të ekipit, pa u bërë videoja virale. Djali e ka kaluar me sportivitet këtë pjesë”, tha trajneri.
“Edhe familjarët e tij më kanë thënë që e dinë shumë mirë se ishte pa dashakeqësi. Djalin e kam sjellë vetë në akademi, nga një qytet tjetër. Është një nga lojtarët më cilësorë të ekipit, kam 3 vite që e stërvis dhe kam lobuar fort për të”, shtoi Duro.
Sipas trajnerit, nuk ka pasur goditje, por vetëm një shtyrje për ta futur më shpejt në fushë.
“Ishte si i përgjumur në atë moment. Ne kemi qenë edhe në transmetim “live”, qëllimi i vetëm ishte për ta motivuar gjatë hyrjes në lojë. Fati i keq ishte që nuk e kishte të përgatitur trupin dhe u rrëzua. E pranoj që e shtyva, por nuk ishte dashakeqësi”, shpjegoi trajneri.
(A2 Televizion)
