8 ditë pas tërmetit shkatërrimtar, mbi 40 mijë viktima, ende njerëz të gjallë nën rrënoja

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2023, 10:40 | Bota
8 ditë pas tërmetit shkatërrimtar, mbi 40 mijë viktima, ende

Tre persona u shpëtuan nga gërmadhat e godinave të shembura në rajonin e goditur rëndë të Kahramanmarash, 198 orë pas tragjedisë, përfshirë 17-vjeçarin Muhamed Enes Yeninar, si dhe vëllain e tij 21-vjeçar. Në po të njëjtin rajon, ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë 3 pjesëtarë të së njëjtës familje, gjyshja, nëna dhe vajza, të cilat duket se i kanë shpëtuar tërmetit që ka vrarë më shumë se 40 mijë veta në Turqi dhe Siri.

Një tunel i dytë po hapet për të arritur tek to, pasi kalimi i parë u bllokua dhe një zinxhir njerëzor është krijuar për të zhvendosur rrënojat me kova.

Por pavarësisht mrekullive që e mbajnë shpresën gjallë, operacionet e kërkim-shpëtimit po shkojnë drejt përfundimit, ndërsa temperaturat e acarta reduktojnë edhe më shumë shanset për mbijetesë. Disa grupe vullnetarësh polakë, njoftuan se do të largohen të mërkurën.

Në qytetin e shkatërruar të Alepos, shefi i ndihmës në OKB, Martin Griffiths, tha se faza e kërkimeve po mbyllej dhe se fokusi do të zhvendosej tani te sigurimi i vendstrehimeve, ushqimit dhe shkollimit.

Siç u bë e ditur, presidenti sirian, Bashar Al Asad, kishte pranuar të hapte dy vendkalime të tjera kufitare për të lejuar hyrjen e ndihmave nga Turqia fqinje. Bilanci i viktimave në Turqi i ka tejkaluar 31 600 viktimat e shënuara nga tërmeti i vitit 1939 duke e bërë atë të 6 shkurtit, katastrofën më të rëndë në historinë moderne të vendit.

Në Sirinë e gjunjëzuar nga lufta civile 12-vjeçare, bilanci ka shkuar në mbi 5700. Në një vlerësim të parë të dëmeve, llogaritet se Turqia përballet me një faturë prej 84 miliardë dollarësh; 42 mijë godina ose janë shembur, ose janë dëmtuar rëndë në 10 qytete.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos