
Ai ka një thesar të madh veprash, në shtëpinë e tij, në banesën karakteristike tiranase, por ka edhe shumë të tjera që publiku nuk i ka shijuar. Sepse Sali Shijaku është gjithnjë kështu, artisti që ka gjithnjë tablo të reja për të na treguar.
Disa prej tyre, që nuk janë ekspozuar asnjëherë më parë, tani i prezantohen publikut në qendrën për dialog në kryeministri edhe si një urim për 88-vjetorin e artistit.
Veprat, dritëhijet dhe ngjyrat e kanë shpëtuar jo pak herë edhe nga regjimi që herë pas here e konsideronte modernist. Artisti që vijon të jetë burim frymëzimi për shumë piktorë shqiptarë, vazhdon të hedhë ide, ndjesi e ngjyra në tablo, ndonëse ka vetëm pak që ka humbur bashkëshorten.
Ndonëse veprat e tij sot janë shpërndarë në shumë vende të botës, një pasuri të madhe e gjen në shtëpinë e tij që është kthyer në një muze të vërtetë dhe rreth 90 vepra ruhen në fondin e galerisë kombëtare si pjesë e një koleksioni të çmuar. (A2 Televizion)