
Mandati i zotit Duka si President i Federatës Shqiptare të Futbollit skadon në vitin 2022, një vit para përfundimit të mandatit si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Por sipas tij, ky nuk është kusht i domosdoshëm, mjafton që në momentin e zgjedhjes në UEFA kandidati të ketë një rol drejtues në federatën e vendit të tij. “Momentalisht është kështu, por për mua nuk duhet të jetë kështu. Po diskutohet dhe mbase ratifikohet, që në momentin që një person nuk është më pjesë e futbollit të vendit të tij, duhet të mbash postin deri në kongresin e radhës”.
Por a do të kandidojë Duka për në zgjedhjet e FSHF në vitin 2022? “Sa mora mandatin e ri dhe nuk po e mendoj, është shumë shpejt”, tha Duka.
Sa i përket dënimit të klubit më të suksesshëm shqiptar të viteve të fundit, Skënderbeut, i cili nuk do të mund të luajë në kompeticione europiane për 10 vjet, Duka mohon të ketë qenë dakord me këtë vendim. “Dënimi i Skënderbeut është i parecedent, nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk do isha dakord me një dënim të tillë, pasi dënimi është i përjetshëm nëse e zbërthen tamam. Mendoj që nuk është rasti më i keq, por është bërë për t’u marrë shembull”, tha ai. (A2 Televizion)