
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, e ka konsideruar të arsyeshëm aktin normativ të qeverisë për t’i kaluar SPAK-ut dhe Gjyaktës së Posaçme shqyrtimin e dosjeve, pas përfundimit të misionit të OFL-së. E ftuar në Ditari në A2 CNN, Felaj theksoi se lufta do të vazhdojë sipas ligjit antimafia.
“Ajo që desha të nënvizoj është që OFL-ja e përfundoi misionin e vet, dhe çështjet e referuara në Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme do të përfundojnë aty dhe nuk do shpërndahen në prokurori të tjera, ndërkohë që lufta do të vazhdojë sipas ligjit antimafia”.
Pavarësisht situatës së vështirë për shkak të pandemisë dhe boshllëkut të organeve të reja të drejtësisë në arritjet e OFL-së, Felaj thekson se u krijua modeli dhe një praktikë pune që do të shërbejë për mënyrën se si duhet të veprojë policia.
“Numrat tregojnë se, pavarësisht kësaj vështirësie që patëm vitin e kaluar, akti normativ filloi të jepte efektet e tij në 2020-n dhe në mars ne u karantinuam. Këto kanë qenë rrethana të paparashikueshme që kanë ndikuar në punën e e OFL-së dhe prokurorisë e gjykatave që nuk është proceduar. Deri në fund, janë goditur 1500 pasuri dhe janë mbi 200 subjekte që i kanë në emër të tyre. Pavarësisht kësaj, janë çështje që ende nuk janë mbyllur me vendim përfundimtar. Në momentin që filloi veprimi, ne kishim një boshllëk në organet e reja dhe të gjitha këto pengesa dhe shumë çështje të hetimit pasuror ishin të arkivuara në sirtarët e prokurorisë dhe ky u pa si mekanizëm efikas kundër pasurive të paligjshme. U krijua një model e praktikë pune që do të shërbejë se si duhet të veprojë policia”.
E pyetur nëse këto do të quhen sukses i punës së OFL-së, Felaj shprehet se ky operacion ka dhënë rezultatet e veta, pasi ka krijuar frymën që kushdo që vë pasuri përmes krimit e korrupsionit ndëshkohet. Sipas saj, OFL-ja ishte e domosdoshme për t’i dhënë goditje pasurive të paligjshme.
“Ky operacion i ka dhënë rezultatet e tij dhe ka krijuar bindjen që kushdo që vë pasuri përmes krimit e korrupsionit ndëshkohet. Nuk do të doja që të zëvendësonte prokurorinë e gjykatën. Policia kishte detyrë të posaçme dhe i referonte në gjykatë. Është detyrë e Prokurorisë e Gjykatës të shihnin sa e bazuar ishte kjo kërkesë dhe për të vijuar me konfiskimin. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një luftë e pandërprerë dhe i takon ligjvënësit për ta bërë sa më efikase këtë luftë. Ishte e domosdoshme për t’i dhënë një goditje pasurive të paligjshme.” (A2 Televizion)