
Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë. Në një deklaratë për mediat pas takimit virtual me komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e komisionit të punëve të jashtme të PE, Davide McAllister, Basha theksoi se shefi i qeverisë akuzon BE-në për shkak të dështimit të tij, ndërkohë që BE-ja do të ofrojë ndihmë në sektorin e Shëndetësisë.
“Sapo kam pasur komunikim me komisionerin e Zgjerimit Oliver dhe kryetarin e komisionit të punëve të jashtme të PE, Davide McAllister, ku kanë folur edhe për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka ofruar Shqipërisë dhe në sektorin e shëndetësisë që BE do t’i ofrojë Shqipërisë në të ardhmen. Për shkak të dështimit të Ramës, Shqipëria është në krizën më të thellë ekonomike. Tirja e kësaj qeverie që u ka marrë paratë shqiptarëve dhe biznesit dhe ia ka dhënë një grushti klientësh të vet nuk mund të fshehë dështimin e tij, përfshirë dhe BE”.
Duke përmendur rritjen e taksave, rritjen e papunësisë dhe ndihmën ekonomike më të ulët në botë, Basha tha se lajm i mirë është që kjo qeveri është në ikje. Ai theksoi planin ekonomik të PD-së, që Shqipëria t’i kthehet normalitetit dhe këtë klimë pozitive për biznesin dhe investimet e huaja.
“Rama ka rritur taksat, duke marrë 3 milionë euro më shumë, 97% e shqiptarëve paguajnë taksa më shumë. 40% e të ardhurave të biznesit shkon te taksat. Numri i shqiptarëve që kanë humbur vendin e punës është më i larti dhe ndihma ekonomike më e ulëta në botë. Lajm i mirë është që ditët e kësaj qeverie janë të numëruara. Është koha për ndryshim për të larguar këtë qeveri dhe kryeministër, i cili është burimi i kësaj krize ekonomike. Ne kemi një plan ekonomik që do të largojmë të keqen dhe do nisim rrugën e ndryshimit. Partnerët tanë do të na mbështesin që Shqipëria t’i kthehet nornalitetit dhe të ketë klimë pozitive për biznesin e brendshëm e familjet shqiptare dhe klimë pozitive për investime e huaja”.
Në fund të deklaratës së tij, Basha u dërgoi edhe një mesazh shqiptarëve: “Mesazhi im për shqiptarët: Çdokush e di që Rama ka dështuar, por e nesërmja do të sjellë ndryshim për të gjithë shqiptarët”. (A2 Televizion)