Dy vite pas 7 tetorit, pasojat për Izraelin, Gazën dhe të gjithë rajonin

Nga Rosalba Bejdo
7 Tetor 2025, 22:35 | Bota

Më 7 tetor 2023, bota u trondit nga një sulm masiv mbi Izraelin. Militantë të udhëhequr nga Hamasi nisën një ofensivë të paprecedentë, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 pengje, sipas shifrave izraelite. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një konflikti që sot, pas dy vitesh, ka ndryshuar rrënjësisht jetën e miliona njerëzve në Lindjen e Mesme dhe ka shtrirë pasojat e tij në të gjithë rajonin.

“Është e rëndësishme të kujtojmë se ai ishte sulmi më i madh që Izraeli ka përjetuar ndonjëherë. Dhe ai theu bindjen se siguria e Izraelit ishte e pathyeshme”, tha Dr. Sanam Vakil, Chatham House. Të nesërmen e sulmit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpalli luftë të plotë.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë. Jo në një operacion apo në përleshje të kufizuara – por në luftë të plotë. Këtë mëngjes, Hamasi nisi një sulm vrastar të papritur ndaj shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij”, u shpreh Netanyahu.

Pas sulmit, trupat izraelite u grumbulluan përgjatë kufirit me Gazën, ndërsa qyteti u përfshi nga shpërthime, rrënoja dhe tym i dendur që ngrihej mbi horizont. Pamjet e para nga Gaza tregonin trupat e vrarë të civilëve, ndërsa zjarret dhe shpërthimet shkatërronin ndërtesat dhe infrastrukturën kryesore, shkruan A2 CNN. 

Dy vjet më vonë, Gaza është kthyer në një fushë shkatërrimi. Qytetet dhe fshatrat janë rrafshuar, miliona njerëz janë zhvendosur dhe rreth gjysmë milioni palestinezë rrezikojnë vdekjen nga uria dhe mungesa e ndihmës humanitare.

“Gjatë dy viteve të fundit kemi parë Izraelin të përpiqet të afirmojë kontrollin e tij në Gaza, dhe ka pyetje të mëdha për atë që ka arritur atje, por gjithashtu edhe për dobësimin e kapaciteteve të aksit të rezistencës të mbështetur nga Irani në disa fusha. Sot Izraeli duket si një hegjemoni ushtarake në rajon. Por pasojat e kësaj qasjeje ushtarake, që duket se nuk ka fund dhe është shumë e palëkundur, janë goditjet që Izraeli ka përjetuar ndërkombëtarisht dhe rajonalisht, duke u izoluar më shumë se sa ka qenë në dekada”, tha Dr. Sanam Vakil.

Izraeli nuk e kufizoi fushatën e agresionit vetëm në Gaza, por ndërmori sulme ajrore dhe veprime të tjera ushtarake në Liban, Siri, Iran dhe Jemen. Në Liban, ai sulmoi grupin e armatosur të mbështetur nga Irani, Hezbollah, dhe në Jemen shënjestroi grupin Huthi të lidhur po ashtu me Iranin. Të dy grupet kishin ndërmarrë sulme ndaj Izraelit gjatë konfliktit në Gaza.

Më 27 shtator 2024, një seri bombash izraelite që shkatërruan bunkerë në një kompleks të Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, vranë Hassan Nasrallah, i cili kishte udhëhequr grupin e fuqishëm fetar, politik dhe ushtarak shiit për më shumë se 30 vjet. Vdekja e Nasrallah dhe lufta që pasoi i dhanë goditje të mëdha grupit. Trashëgimtari i tij i mundshëm, Hashem Safieddine, u vra disa javë më vonë. Deri në dhjetor, aleati sirian i Hezbollahut, Bashar al-Assad, u rrëzua.

Në qershor 2025, filloi një luftë 12-ditore me sulme ajrore izraelite ndaj Iranit, të ndjekura nga sulme të SHBA-së ndaj tre zonave bërthamore iraniane. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëruan se nuk do të hezitojnë ta godasin përsëri Iranin nëse ai rifillon pasurimin e uraniumit — një rrugë e mundshme për zhvillimin e armëve bërthamore.

Izraeli ndërmori një sulm ajror në Katar më 9 shtator, duke pretenduar se objektivi ishin udhëheqësit kryesorë të Hamasit, përfshirë Khalil al-Hayya-n. Këto lëvizje shënojnë një ndryshim rrënjësor në ekuilibrin e forcës në rajon, duke e bërë Lindjen e Mesme më të paqëndrueshme se kurrë, shkruan A2 CNN.

“Irani vetë ka qenë i angazhuar në një luftë të drejtpërdrejtë me Izraelin, ku SHBA gjithashtu ndërhyri. Kufijtë e kuq janë kaluar në rajon gjatë dy viteve të fundit. Sot Irani është gjithashtu i izoluar ndërkombëtarisht, pas rivendosjes së sanksioneve nga Evropa dhe nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore”, tha Dr. Sanam Vakil.

Disa vende perëndimore kanë nisur të njohin shtetin palestinez për të ushtruar presion mbi Izraelin dhe për të rifilluar procesin e paqes. Franca ishte e para që mbështeti këtë lëvizje, duke kërkuar gjithashtu reforma në administratën palestineze që të bëhet partner i besueshëm në Gaza pas luftës.

“Njohja e shtetit palestinez ka avancuar ndjeshëm, dhe kjo është një hap pozitiv. Por planet e paqes dhe zgjidhjet politike, duke përfshirë ato që propozuan së fundmi Shtëpia e Bardhë, nuk angazhojnë drejtpërdrejt palestinezët dhe udhëheqësit e tyre. Kjo është një sfidë e madhe për të ardhmen. Flasim për shtetësi, por paralelisht diskutohet edhe për një Palestinë të çarmatizuar që duhet të jetë sovrane”, tha Vakil, shkruan A2 CNN.

Izraeli dhe SHBA kundërshtojnë fuqishëm njohjen e shtetit palestinez. Netanyahu përsëriti në OKB se “një shtet palestinez nuk do të krijohet kurrë në perëndim të lumit Jordan”, ndërsa diplomatë dhe zyrtarë u larguan nga salla gjatë fjalimit të tij.

“Netanyahu e ka kthyer në mision të jetës së tij të sigurojë që në fund të mos ketë një shtet palestinez. Derisa politika izraelite të pranojë një zgjidhje të drejtë për palestinezët, paqja do të mbetet një iluzion”.

Më 30 shtator 2025, Presidenti Trump prezantoi një plan 20-pikësh për Gazën që parashikon armëpushim, shkëmbim pengjesh, tërheqje graduale izraelite, çarmatim të Hamasit dhe qeveri ndërkombëtare kalimtare.

Dy vite lufte kanë lënë plagë të thella te popullsia palestineze. Trauma, humbja, uria dhe pasiguria do të ndikojnë te brezat e ardhshëm.

“Palestinezët kanë përjetuar një dhimbje, humbje dhe pasiguri të pamasë. Trauma e këtyre dy viteve do të përcillet në brezat që vijnë. Dhe kur kjo luftë të marrë fund, do të vijë momenti i llogarive për gjithçka që ka ndodhur.”

Dy vjet pas 7 tetorit 2023, Gaza është në rrënoja, ndërsa miliona palestinezë jetojnë në uri dhe pasiguri.

Pyetja mbetet e hapur: A do të vijë paqja përmes njohjes së një shteti palestinez — apo historia do të përsëritet, njësoj si më 1948, kur filloi gjithçka? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos