A i trembet PD një kandidati të fortë socialist? Topalli: Në Shkodër nuk kanë asnjë shans, historia e ka treguar

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 21:43 | Politikë
A i trembet PD një kandidati të fortë socialist? Topalli: Në

Në një “Intervistë me Merita Haklaj” në “A2CNN”, ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, u pyet në lidhje me garën në Bashkinë e Shkodrës për zgjedhjet lokale. Teksa foli për deklaratën e Damian Gjiknurit, i cili së fundmi u shpreh se PS do të marrë 40 bashki, Topalli u shpreh se paska ndryshuar mendim, teksa kujtoi deklaratën e para dy javëve kur socialistët shpreheshin se do të fitonin 100 për qind të bashkive në rang vendi.

“Mirë shumë, paska ndryshuar mendim, se përpara dy javësh thoshin se do të fitonin 100 për qind të bashkive. Unë besoj se do të ketë gjëra shumë interesante pas 17 majit. Besoj se do të ketë shumë zhvillime interesante. Për të fituar zgjedhjet është absolutisht një emergjencë kombëtare për të sjellë një ndryshim, përndryshe ne nuk e meritojmë ndryshimin.”

Jozefina Topalli për deklaratën e Damian Gjiknurit se socialistët do të fitojnë 40 bashki

Ndërkohë, e pyetur nëse në Shkodër Partia Demokratike i trembet ndonjë kandidati socialist që mund ta sfidojë atë në këtë bashki, Topalli tha se ata nuk kanë asnjë shans, pasi koha e ka treguar këtu e 30 vjet se kush fiton.

Topalli nuk nguroi të cekte edhe një problem, sikurse e quajti ajo, që ka të bëjë me investimet në qytet që sipas ish-kryeparlamentares, janë zero. Ndërsa shtoi se në qytet është rritur varfëria, megjithë fisnikërinë që i karakterizon qytetarët shkodranë.  

“Unë nuk hy në kategorinë e atyre që them që më të mirët janë të PD-së dhe më të këqinjtë janë të PS-së. Unë mendoj që të dyja forcat politike kanë mundësi që të zgjedhin njerëz me reputacion, por Bashkinë e Shkodrës nuk kanë shans që ta fitojnë, sepse është e përcaktuar. Historia 30-vjecare ka treguar që është e paracaktuar.

Por aty ka një problem shumë të madh. Ka dhjetë vite që në Bashkinë e Shkodrës, por edhe në bashki të tjera, ka zero investime. Nuk ndodh kund në botë që ta dënosh një komunitet të tërë, vetëm se drejton një forcë tjetër politike. Shikoj një varfëri të tmerrshme. Nuk e di nëse ka një qytet më të varfër se Shkodra. Një mjerim, natyrisht edhe një fisnikëri të njerëzve, por mjerimi të çon në dëshpërim.” (A2 Televizion)

Jozefina Topalli për kandidatin e PS në Shkodër dhe investimet e munguara në qytet
https://a2news.com/2022/12/23/dikur-ne-parlament-ishte-elita-topalli-sot-politika-po-shihet-si-biznes-pasurimi-i-shpejte/
https://a2news.com/2022/12/23/topalli-tregon-pse-u-befasua-nga-berisha-dhe-rezervat-per-primaret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos