A ka “pranuar” Serbia pavarësinë e Kosovës me marrëveshjen e fundit?

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2023, 20:36 | Kosova
A ka “pranuar” Serbia pavarësinë e Kosovës me

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti, Aleksandar Vuçiç e pranuan në Bruksel planin franko-gjerman, si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, por firma nuk hodhën.

Bashkimi Evropian publikoi 11 nenet e dokumentit, sipas te cilit, palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta. Po ashtu, do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Takimi i radhës, Kurti-Vuçiç është lënë në Kumanovë të Maqedonisë në 18 mars. Për këtë çështje u diskutua këtë të martë në Debat.

I pyetur nëse me marrëveshjen e fundit Serbia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, analisti Ben Andoni u shpreh se nuk ka ndryshuar shumë me marrëveshjen e fundit. Ai shtoi se pas pranimit të planit, Kurti dhe Vuçiç duhet të rregullojnë ndikimin jo të mirë që ka pasur për ta në të dy vendet.

“Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Kjo platformë i është mbivendosur platformës së vjetër. Nuk ka ndryshime të mëdha. Në materialin origjinal, lëshimet më të mëdha i janë bërë Serbisë, që në konceptimin e fjalës kufij. Në një dokument të rëndësisë së tillë, Kosova për ata akoma nuk është një shtet i pavarur. Ka probleme në mënyrën sesi do të qaset në të ardhmen Kosova me Serbinë. E gjithë kjo është një momentum i ri, një përditësim i dokumenteve të mëparshme, nuk mendoj se do të shkojë në parlament. Kjo është thjesht për pjesën e dialogut. Megjithatë, unë mendoj se nga tani Kurti dhe Vuçiç do të jenë më afër deri në takimin e Kumanovës.

Kurti dhe Vuçiç do të duhet të rregullojnë të gjithë atë impakt aspak të mirë sesi është pritur propozimi Europian. Kurti ka lëshuar jashtëzakonisht nga premtimet e tij. Retorika e tij tregon se grupi që përfaqëson ka kaluar në një status tjetër. E njëjta gjë edhe për Vuçiç”, u shpreh Andoni. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/28/takimi-kurti-vucic-ne-bruksel-diplomati-arben-ceku-prologu-i-asaj-qe-do-te-vije-me-vone/

A2 CNN Livestream

Latest Videos