Cristina Crudu hedh sytë mbi pemët e saj të mollëve dhe ankohet se biznesi i saj mund të falimentojë së shpejti për shkak të vështirësive ekonomike që Moldavia është duke i përjetuar qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Moldavia mbetet e lidhur ngushtë me bujqësinë, sepse më shumë se një e katërta e popullsisë së saj është e punësuar në ara, vreshta dhe pemishte.
Derisa vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit, ajo është bërë gjithashtu tokë pjellore për narrativët kundër Perëndimit të shpërndara online nga Kremlini – për shkak të varfërisë së përhapur.
“Ne nuk mund të eksportojmë në Bashkimin Evropian, sepse nuk i kemi certifikatat që ata i kërkojnë. Ishte shumë më e lehtë të eksportonim në Rusi”, tha Crudu për Shërbimin moldav të Radion Evropa e Lirë (REL).
Si bujkeshë frutash me përvojë 20-vjeçare në qarkun e Dondusenit, më pak se 25 kilometra larg kufirit me Ukrainën, ajo është përballur me vështirësi të mëdha qëkurse u ndërpre tregtia me Rusinë pas vitit 2022.
“Nuk arrijmë as ta mbulojmë koston e vjeljes së frutave”, tha ajo, duke shtuar se do të votojë për Socialistët e opozitës, pjesë e koalicionit të Bllokut Elektoral Patriotik që sfidon Qeverinë properëndimore të Moldavisë.
Socialistët udhëhiqen nga Igor Dodon, ish-president i Moldavisë që ka ruajtur për kohë të gjatë lidhje të ngushta me Moskën.
Qeverinë e tanishme, e zgjedhur në mënyrë demokratike, Dodon e ka quajtur “regjim kriminal”.
Crudu shpreson që Dodon të sigurojë çmime më të mira për prodhimin e saj.
“Nëse asgjë nuk ndryshon pas zgjedhjeve, do të presim pemishten dhe kaq”, tha ajo.
Lufta matanë kufirit
Qëndrimi i saj nuk është i pazakontë. Vendimi i Moskës për t’i futur tanket në Ukrainë e goditi fort Moldavinë, jo vetëm duke ndërprerë tregtinë, por edhe duke rritur çmimet e energjisë dhe duke nxitur inflacionin.
Statistikat zyrtare për vitin 2024 tregojnë se 33.6 për qind e moldavëve jetonin nën pragun e varfërisë, krahasuar me 24.5 për qind para luftës. Inflacioni arriti në rreth 35 për qind muajt pas fillimit të pushtimit të plotë, ndonëse deri në gusht të vitit 2025 kishte rënë në 7.32 për qind, sipas Bankës Kombëtare.
Ekonomia e Moldavisë u rrit vetëm për 0.1 për qind në vitin 2024, pas një rënie të thellë në vitin 2022 dhe një rimëkëmbjeje të lehtë në vitin 2023.
Moldavia, vend me 2.4 milionë banorë, i ka pranuar gjithashtu më shumë se 130.000 refugjatë ukrainas.
Megjithatë, jo të gjithë votuesit janë të bindur nga mesazhet e opozitës. Disa kanë hequr dorë krejtësisht.
Margareta Pasla.
“Kam votuar për kaq shumë vjet, herë për njërin, herë për tjetrin, gjithmonë me shpresë se gjërat do të përmirësoheshin. Por, kurrë nuk kanë ndodhur”, tha për REL-in 75-vjeçarja Margareta Pasla.
Edhe pse në pension, ajo vazhdon të punojë si punonjëse sociale në dy fshatra, dy orë larg nga pemishtet e Crudut.
Pensioni i saj mujor prej 150 dollarësh mezi mbulon faturat e shërbimeve, tha ajo, edhe pse është rritur për rreth 80 për qind gjatë katër vjetëve të fundit.
“Nuk mendoj se do të votoj më; asgjë nuk do të ndryshojë sido që të jetë. Ne, në fshatra, mbetemi me baltën dhe hallet tona”, shtoi ajo.
Problemet reale ekonomike përbëjnë sfondin e një fushate zgjedhore gjithnjë e më të ashpër, ku Qeveria paralajmëron se Moska po luan rol të dëmshëm përmes fushatave dezinformuese në rrjete sociale dhe përpjekjeve të paligjshme për blerje votash.
Më 22 shtator, policia kreu bastisje në disa lokacione në të gjithë vendin, të drejtuara ndaj asaj që e quajti “përgatitje për trazira masive dhe destabilizim, të cilat ishin koordinuar nga Federata Ruse përmes elementëve kriminalë”.
Kremlini e ka akuzuar vazhdimisht Moldavinë për “histeri antiruse” dhe e ka mohuar se po ndërhyn në atë që presidentja Maia Sandu i ka quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit”.
Shpresa për një të ardhme evropiane
Vështirësitë ekonomike të Moldavisë nuk lidhen vetëm me luftën në Ukrainë. Si një nga vendet më të varfra në Evropë kamotshëm, popullsia e saj ka qenë në rënie që nga rënia e komunizmit, pasi njerëzit emigrojnë për punë drejt BE-së dhe më gjerë.
Në zgjedhjet e mëparshme, rreth 1 milion emigrantë kanë qenë vendimtarë për të mbështetur forcat properëndimore dhe mund të jenë përsëri kësaj here.
Ndërkohë, Qeveria këmbëngul se përpjekjet e saj për integrim evropian do të japin fryte nëse votuesit qëndrojnë me të.
“Ne sapo kemi nënshkruar me Bashkimin Evropian një plan zhvillimi prej 1.9 miliard eurosh për tri vjetët e ardhshme”, tha Marcel Spatari, kandidat i partisë PAS të presidentes Maia Sandu, gjatë një debati parazgjedhor të organizuar nga Shërbimi moldav i REL-it.
Ai tha se marrëveshja do të siguronte “mijëra kilometra rrugë të riparuara, ndërtimin e terminaleve për tregti ndërkombëtare, ura mbi lumin Prut dhe përfundimin e investimeve në rrjetet e interkonjeksionit të energjisë me Rumaninë”.
Ky është një mesazh që disa votues e pranojnë.
Në qarkun Leova, përgjatë kufirit rumun në jugperëndim të Moldavisë, 34-vjeçarja Cristina Bejereanu ka 400 hektarë fusha me grurë dhe luledielli bashkë me bashkëshortin e saj, Dumitru.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Moldavisë dhe jam e bindur se është e vetmja rrugë që mund të na çojë drejt begatisë dhe në një farë mënyre të garantojë paqen në vendin tonë”, tha ajo për REL.
Bejereanu nuk i mohon vështirësitë ekonomike të vendit. Ajo e sheh rrugën properëndimore të Moldavisë si zgjidhjen përfundimtare ndaj tyre.
“Si bujq, kemi nevojë për fuqi punëtore, por në fshatra pothuajse nuk kanë mbetur njerëz. Nëse fshatrat tona do të kishin ujë, kanalizime dhe rrugë të mira si në Evropë, a do të iknin njerëzit? Nuk besoj”, tha ajo.
“Pikërisht këtë do të kemi në mendje kur të votojmë, ta sjellim Evropën në shtëpi”, shtoi ajo. REL (A2 Televizion)