Pranimi i planit europian, PDK e LDK kritikojnë Kurtin: Humbi njohjen, pranoi asociacionin

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2023, 13:03 | Kosova
Pranimi i planit europian, PDK e LDK kritikojnë Kurtin: Humbi njohjen,

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovës, PDK dhe LDK, kritikuan kryeministrin Kurti për pranimin e propozimit europian. Sipas tyre, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

 “Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, u shpreh kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas tij, kryeministri Kurti me “veprime dhe politika të gabuara degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.

Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parashikon zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake - përfshirë dhe Asociacionin- si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit të Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, tha LDK.

Nuk e mendon njësoj kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar në vend, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve të reja”, tha Haradinaj. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/28/pranoi-propozimin-europian-rama-uroj-qe-askush-te-mos-e-akuzoje-kurtin-per-tradhti-beri-gjene-e-duhur/
https://a2news.com/2023/02/28/be-publikon-planin-europian-per-marreveshjen-kosove-serbi/

A2 CNN Livestream

Latest Videos