
Në mes të shtatorit, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të mos paguanin 30 mijë paundë për të shkuar në Angli, por këto para t’i investonin në Shqipëri, në agroturizëm.
“Mos e ndërmerrni atë rrugë sepse do të jetë gjithmonë e më e vështirë, do të jetë gjithmonë e më e kushtueshme. U duhet të paguajnë shuma marramendëse trafikantëve. Nga ana tjetër, dëshiroj t’iu them se Shqipëria nuk ka sesi t’iu ofrojë as kushtet e Gjermanisë dhe as kushtet e Britanisë, por ofron mundësi për ata përmes punës duan sukses. Të harxhosh 30 mijë paund për të paguar trafikantë, ndërkohë që me 20-30 mijë paund dhe me një mbështetje të qeverisë ti mund të ndërtosh një agroturizëm te shtëpia e gjyshit tënd, në Kukës, në Has dhe aty mund të bësh më shumë para se edhe në Britaninë e Madhe. Atje mund të përfundosh në ferr”, thonte Rama.
Në studion e “A2 Business” nga Aurora Sulçe, eksperti për ekonominë, Drini Imami, komentoi këtë deklaratë: “Problemi i madh që ka sot fshati është zbrazja e tij. Agroturizmi është aktivitet shtesë i fermës dhe duhet fuqi punëtore. E dyta, mund të vendosësh të investosh, por po të mbyllen shkollat. Prandaj ekziston koncepti i zhvillimit rural, që stimulon banorët të rrinë në fshat. Problemi më i madh i agroturizmit është largimi i rinisë. Sa i përket subvencioneve nga shteti, Shqipëria është vendi me buxhetin më të ulët për bujqësinë dhe zhvillimin rural në rajon”, tha Imami.
Sipas Sherefedin Shehut, 30 mijë paundë “nuk janë asgjë” dhe kryeministri Edi Rama duhet të mendojë “një program për zhvillim të integruar të bujqësisë”. (A2 Televizion)