
Ekipi i A2 CNN, i përbërë nga Jul Kasapi dhe Mand Qafoku, ka mbërritur në Malatya, aty ku ekipet shqiptare të emergjencave po vijojnë punën në rrënoja.
Malatya është një nga qytetet turke të prekura më rëndë nga tërmeti që ka shkaktuar deri tani, më shumë se 11 000 viktima në Turqi dhe Siri.
Në deklarata ekskluzive për A2 CNN, kryesuesi i grupit shqiptar të kërkim-shpëtimit, Endrit Cengu, u shpreh: “Personi i parë që kemi nxjerrë nga rrënojat ka qenë një fëmijë 4-5 vjeç, fatmirësisht i gjallë. Kemi nxjerrë edhe 3 persona të pajetë. Tani po punojmë në një objekt që ishte pallat 8-katësh. Rrënojat janë të shumta dhe është shumë e vështirë për ndërhyrje. Të gjitha katet janë bërë bashkë në një dhe hapësira për ndërveprim është e vështirë. U bënë 21 orë që po punojmë për të krijuar korridore dhe për të gjetur të mbijetuar”.
“Në objektin që po punojmë ka edhe maltezë e turq. Kërkohet shumë punë dhe shumë kujdes në këtë objekt. Ky është objekti i tretë ku po punojmë prej 21 orësh”, shtoi Cengu. (A2 Televizion)