“Absolut 4”: 25 prilli, beteja e qarqeve, Fieri

Nga A2 CNN
18 Mars 2021, 22:55 | Politikë
“Absolut 4”: 25 prilli, beteja e qarqeve, Fieri

Beteja për Fierin në “Absolut 4”, Alibeaj: Lista e kandidatëve me profil lokal

Në emisionin e së enjtes të “Absolut 4” është diskutuar gara zgjedhore në qarkun e Fierit, ku të ftuar ishin Enkeljed Alibeaj nga PD dhe Petro Koçi nga PS.

Drejtuesi politik i fushatës së PD për Fierin, Alibeaj nuk tha një numër sesa mandate synon opozita në këtë qark, por u shpreh se entuziazmi i njerëzve për ndryshim është shumë i madh.

Sipas tij, në këto zgjedhje është tentuar që lista e kandidatëve të ketë një profil lokal për të krijuar lidhjen mes zgjedhësit me të zgjedhurin.

“Objektivi i saktë i fushatës jo vetëm në Fier është ajo që ka të bëjë me angazhimin e të gjithë qytetarëve. Krahasuar me 2017 dhe me 2015 është një ndryshim dramatik. Qytetarët kanë ndjerë dhimbjen që ka shkaktuar ky regjim dhe kanë hequr të gjithë skepticizmit dhe i janë bashkuar ofertës tonë. Shoh një etje të qytetarisë për t’i dhënë fund këtij regjimi.

Është me dashje një lloj zgjedhje lokaliste e listës së kandidatëve. Besoj se sistemi e lidh kandidatin me elektoratin. Një nga preferencat tona si PD ishte sistemi mazhoritar, ai e lidh drejtpërdrejt deputetin me publikun. Zgjedhja e bërë nga ne është e tillë të ketë figura me profil lokal që do të krijojnë lidhjen e zgjedhësit me të zgjedhurin”, tha Alibeaj.

Votë kundër Ramës apo për programin e PD? Alibeaj: Shqiptarët e kane dozën e mllefit, por kërkojnë dhe të përzgjedhin

Në emisionin e së enjtes të “Absolut 4” u diskutua gara zgjedhore në qarkun e Fierit. I pyetur nëse fryma e qytetarëve është thjesht për të larguar qeverinë aktuale sepse janë të lodhur apo kanë besim te Partia Demokratike si një alternativë më e mirë, drejtuesi politik i fushatës së PD për Fierin, Enkelejd Alibeaj deklaroi se në fushatë ka vënë re një mllef të madh të qytetarëve për të larguar qeverinë aktuale por dhe një dozë të fortë sa i takon përzgjedhjes.

Sipas tij, mes qytetarëve është rritur ndjeshëm interesi për programet politike, si dhe bëhët krahasimi i emrave që janë në listën e kandidatëve, në mënyrë që ata të bëjnë zgjidhjen e duhur.

“Jam në fushatë në Fier që nga data 15 janar. Arrij ta bëj ndryshimin në trajaktore prej 15 janarit.  Njëra prej të cilave ishte momenti i shpalosjes së programit dhe i fundit i shpërfaqjes së listave.

Unë mund të them që në momentin e parë me 15 janar, kur bëra turin e parë në qark ajo që mbizotëronte ishte realisht irritimi dhe mllefi maksimal. Thënë ndryshe vota kundër, vota për të larguar.

Me kalimin e kohës ajo që kam konstatuar, më shumë në zona specifike, si Divjaka, Roskoveci, Patosi, Ballshi, të cilat kanë një lloj profizilimi drejt bujqësisë, kam kuptuar që njerëzit e dëgjojnë me prioritet maksimal idetë tona për bujqësinë. Ti pyesësh sot, e dinë fare mirë çfarë do të thote nipti që do te jetë në karta identiteti apo 100 milionë subvencion. Kam vënë re një lloj emancipimi, për të kuptuar dhe për të qenë sqimatar në përzgjedhje.

E vej re në të gjitha takimet, gjithmonë ka një kërkesë për programin për arsimin, rininë, bujqësinë, punësimin por ka dhe kërkesa specifike. Shqiptarët e kane dozën e mllefit, lëngojnë prej vitesh, është gjurmë e fortë ajo që ka ngelur në lëkurën e tyre por kërkojnë dhe të përzgjedhin. Kjo është sfida jonë. E fundit është dhe elementi i thurjes së listave. Janë shumë përzgjedhës për figurat qëndrore dhe lokale dhe bëjnë krahasimin. Ka një emancipim, të domosdosshëm dhe për shkak të largimit të tifozerisë politike. Sot, ajo çfarë unë shoh është që ka dozë të fortë për votën kundër por dhe një dozë të fortë sa i takon përzgjedhjes.”

“Absolut 4”, Kikia: Na ofrohet vetëm minimumi, Alibeaj: Kemi program të qartë për rininë

Një debat që u zhvillua në “Absolut 4” mes analistëve dhe përfaqësuesit të PD, Alibeaj ishte dhe mungesa e fokusimit të programit të partive për disa probleme sociale.

Për gazetarin Mentor Kikia është ironike që qeveritë dhe partitë që duan të vijnë në pushtet ofrojnë vetëm minimumin e jetesës, duke anashkaluar tema të tjera si punësimin e të rinjve apo fenomenin e drogës.

“Është ironike që vazhdohet të na ofrohet minimumi i standardit të jetesës. Droga është një plagë sociale jo vetëm trafiku, por përdorimi nga të rinjtë. Kemi një gjeneratë që po viktimizohet nga droga. Është problemi i edukimit, si çështje luksi. Në një vend ku diskutohet për ujë dhe drita të thuash çfarë programi ka qeveria për rininë konsiderohet luks. Deri tani këto çështje nuk janë prekur. Këto probleme sociale janë lënë jashtë vëmendjes”, tha Kikia.

Për Enkelejd Alibeajn, PD ka një program të qartë për rininë për ta larguar nga fenomeni i drogës duke i mbështetur familjet e varfra për pagesat dhe ofruar bursa.

“Arsimi, punësimi arsye pse rinia hidhet në kthetrat e drogës. Është më mirë të hapim universitete sesa burgje. Ajo çfarë kemi bërë ne është të mbështesim rininë të arsimohet. Nëse një familje nuk ka të ardhura më shumë se 640 mijë lekë, mbështetja do të bëhet nga qeveria. Do të jepen 5000 bursa nga qeveria. Do të ndihmohen të rinjtë që hapin biznese të reja”, u shpreh Alibeaj.

Koçi: Segmente kriminale përpiqen t’iu imponohen fushatave, duhet monitorim i rreptë

Gjatë bisedës në Absolut 4, kandidati i PS, Petro Koçi pranoi se gjatë fushatave elektorale segmente të korruptuara dhe të krimit të organizuar tentojnë të imponohen tek partitë apo kandidatë të ndryshëm për të përfituar më pas prej tyre.

Ai ftoi organet ligjzbatuese që të monitorojnë rreptësisht këtë fushatë që të mos lejojnë të zhvillohet praktika e shit-blerjes së votës, duke sjellë LSI si shembull kryesor.

“Ne përpiqemi që të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bëjnë maksimumin për ta përkulur krimin edhe në rajonin e Fierit.  Parimi i fushatës sonë është ai i ndershmërisë. Një fushatë e pistë, në financime të pista, një fushatë e mbështetur në blerje votash, sigurisht që do t’i kthejë edhe mandatet në mandate të pista dhe blerjen e votave do ta kthejë në shitje të mandatit tek segmentet e korruptuara të shoqërisë, bile edhe deri tek krimi i organizuar.

Unë besoj se monitorimi i rreptë i fushatës është një detyrim i institucioneve që merren me këtë gjë dhe që të mos lejojnë që sidomos që parti që praktikën e blerjes së votës siç është LSI të arrijnë ta zerojnë në këtë fushatë edhe në rajonin e Fierit. Segmente kriminale përpiqen t’u imponohen fushatave që më pas të përfitojnë. Politikanët dhe shoqëria civile e kanë për të detyrë të ngrenë zërin më shumë”, u shpreh Koçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos