“Absolut 4”: Kush po i vëzhgon zgjedhjet?

Nga A2 CNN
29 Mars 2021, 23:00 | Politikë
“Absolut 4”: Kush po i vëzhgon zgjedhjet?

Shitblerja e votës, kryesuesja e misionit të ODIHR: Do të kemi sy e veshë në fshatra e periferi

Kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, në një intervistë në “Absolut 4” u pyet edhe për fenomenin e shitblerjes së votës, i cili konsiderohej nga OSBE si një prej çështjeve që duhen zgjidhur me urgjencë.

Gacek u shpreh se fenomeni i tillë ndodh kryesisht në zonat rurale dhe faktimi i tij është ende problem, kjo edhe pse misioni do të ketë një numër të kufizuar vëzhguesish për shkak të pandemisë. (Lajmi i plotë)

Do të vëzhgojë zgjedhjet, Gacek në “Absolut 4” flet për sfidat kryesore të misionit: Do të vijnë dhe eurodeputetë

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Absolut 4” në A2 kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, e cila është në krye të 24 vëzhguesve afatgjatë, foli edhe për sfidat kryesore në këtë fushatë zgjedhore.

“Sigurisht, koronavirusi ka ndikuar çdo gjë që kemi bërë kudo nëpër botë gjatë vitit të shkuar, përfshi edhe misionet e fundit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ndryshon po ashtu mënyrën se si drejtohen fushatat zgjedhore. Përbën një ndryshim të madh, në fakt. Roli i medias, i medieve shoqërore, do të jetë shumë më i rëndësishëm kur mundësitë për mitingje janë më të kufizuara. Edhe ne jemi detyruar të ndryshojmë disa nga formatet tona.  Siç thatë, kemi më shumë se një javë këtu, me një ekip prej 13 ekspertësh ndërkombëtarë. Të premten sollëm edhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të ndahen në skuadra me dy persona në çdo qark të Shqipërisë. Por shpresonim të sillnim edhe 250 nga vëzhguesit tanë afatshkurtër, pak përpara ditës së zgjedhjeve. Fatkeqësisht, për shkak të kufizimeve në vendet e tyre, jo në Shqipëri, ka gjasa që ashtu si me misionet e tjera gjatë vitit të shkuar, do të na duhet të heqim dorë nga kjo pjesë e misionit. Na është dashur ta ndryshojmë pak formatin, por jam optimiste që do të japim një raport të mirë e gjithëpërfshirës për ju”, u shpreh Gacek. (Lajmi i plotë)

Zgjedhjet e 25 prillit, mesazhi i ambasadores Gacek për qytetarët shqiptarë

Në intervistën ekskluzive për Absolut 4 në A2, ndër të tjera, kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, dha edhe një mesazh për shqiptarët në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

“Votoni! Përdorni të drejtën demokratike. Është gjëja më e rëndësishme. Është kryesorja. Sigurisht, ka shumë palë të interesuara. Por kur njerëzit më pyesin nëse keni dikë që e mbështesni, për të cilin shpresoni të fitojë në zgjedhje.

Mbështetja është gjithnjë për votuesit. Mesazhi im është të dalin e të votojnë. Të përdorin të drejtën demokratike. E njoh historinë e Shqipërisë. Jam polake. Dhe ne kemi pasur diktaturë komuniste. Nuk i afrohej për nga ashpërsia asaj që keni pasur ju në Shqipëri. Është shumë mirë që keni një demokraci. Shpresojmë që zgjedhjet të jenë sa më të mira, dhe që votuesit të dalin e ta shfrytëzojnë mirë votën e tyre”, tha Gacek. (Lajmi i plotë)

Gacek në Absolut 4: Presidenti, palë e rëndësishme, liderët politikë duhet të flasin lirshëm me ne

“Ne kontaktojmë me të gjitha partitë politike. Edhe më të voglat. Për shkak dhe të detyrave të tjera që kam këtu, unë takohem dhe me partitë kryesore, dhe këto takime kanë nisur që të premten. Këtë javë do të kem një sërë takimesh. Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët e interesuara… presidenti në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ai është zgjedhur në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ka një mandat. Por është palë e rëndësishme, si garantues i Kushtetutës. Kemi folur dhe me zyrën e tij. Shpresojmë të takohemi me të dhe me përfaqësuesit e tij. Ata flasin shumë hapur dhe lirshëm me ne. Por duke respektuar edhe mirëbesimin. Duhet ta dinë që mund të flasin lirshëm me ne për shqetësimet që kanë. Unë kam qenë politikane, ndaj e kuptoj se si mendojnë politikanët. Sigurisht, janë në mes të fushatës, ndaj janë tepër të zënë”.

Kështu u shpreh në një intervistë ekskluzive në “Absolut 4” kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, teksa u pyet për përfaqësuesit e partive politike, si dhe rolin e presidentit Meta në zgjedhjet e 25 prillit.

Më tej, Gacek theksoi se liderët politikë në vend kanë se ku të adresojnë problemet e tyre, ndërsa detyra e misionit është të shohë thelbin e së vërtetës. (Lajmi i plotë)

Kryevëzhguesja e zgjedhjeve amerikane të nëntorit 2020, flet nëse ka tendencë për kontestim zgjedhjesh edhe në Shqipëri

Kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, në një intervistë në “Absolut 4” u pyet edhe për mundësinë që partitë politike të mos pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke bërë një paralelizëm që diçka e tillë ndodhi edhe në SHBA.

Gacek u shpreh se ende nuk ka parë zgjedhje ku të mos kundërshtohet rezultati por ajo që ka ndryshuar në vite është ashpërsia e gjuhës së përdorur.

Gacek shton se do të mbahen shënim shkeljet e mëdha të standardeve, për sa i përket retorikës së shëmtuar, sidomos kur sulmohet ndonjë pakicë, apo dikush sepse është grua. (Lajmi i plotë)

Gacek në “Absolut 4”: Listat e hapura, qytetarët duhet të informohen për mënyrën e votimit

Një tjetër temë e diskutuar në “Absolut 4” me kryesuesen e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek ishte dhe mënyra se si do të votohet në këto zgjedhje.

Për ambasadoren Gacek, zgjedhjet këtë vit kanë diçka të re, ku qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin deputetin që duan, falë listave të hapura.

Megjithatë zyrtarja e lartë e OSBE kërkoi që qytetarët të informohen si duhet për mënyrën e votimit për të shmangur votat e pavlefshme. (Lajmi i plotë)

Kush do t’i monitorojë zgjedhjet? Krasniqi: Ndërkombëtarët të tregojnë “vijën e kuqe”

Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” intervistën e kryesueses së misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek gjatë së cilës ajo tregoi dhe për mungesën e vëzhguesve afatshkurtër në këto zgjedhje, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sipas Krasniqit, OSBE duhet të përfshijë në raportin e tij për këto zgjedhje dhe elementë shtesë të si çështja e dekriminalizimit dhe shtoi se misioni nuk duhet të jetë burokratik pasi shqiptarët kanë nevojë për ndërkombëtarë që tregojnë “vijën e kuqe” që nuk duhet kaluar. (Lajmi i plotë)

Vota preferenciale, Gerta Meta: S’mund të presësh partitë për të menaxhuar procesin vetëm kur t’i vijë “hëna”

Gerta Meta nga shoqata për Kulturë Demokratike, kritikoi partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se nuk ka informacion për mënyrën se si do të votohet për kandidatët.

“Për votën preferenciale nuk po flet njeri. Qytetarët janë në pritje për mënyrën se si ata do të instruktohen, se si do të edukohen, sensibilizohen, për mënyrën se si ata do ta menaxhojnë votën e tyre preferenciale. Kjo është si për partitë politike ashtu edhe ndaj KQZ. Vullneti i palëve prevalon ndaj proceseve zgjedhore.

Kjo dakordësi nuk duhet pa limit dhe nocion kohor. Duhej të ishte investuar drejtpërdrejt duke i thënë atyre që deri në këtë kohë nuk u përgjigjët, ne do të vazhdojmë punën. Nuk mund të presësh partitë politike për të menaxhuar një proces zgjedhor vetëm kur t’i vijë hëna partive politike”, u shpreh Gerta Meta.

Denoncimet e parregullsive, Krasniqi: Shkelje gjatë fushatës ka çdo ditë, duhet dënuar dikush

Në “Absolut 4” u diskutua dhe thirrja e ambasadorëve të SHBA e BE dhe Komisionerit Zgjedhor drejtuar ndaj qytetarëve për të denoncuar parregullsitë gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.

Sipas analistit Afrim Krasniqi, denoncime për këto çështje ka pasur përherë, por nuk ka pasur një reagim nga autoritetet përkatëse për të dënuar autorë. Krasniqi deklaroi se edhe në gjatë kësaj fushatë ka çdo ditë shkelje.

“Ne e ftojmë publikun që të bëjmë denoncime dhe të gjithë bëjnë denoncime, pa fund bëjnë denoncime. Edhe ne kemi provuar të bëjmë denoncime dhe kur pamë që të gjithë denoncimet u rrëzuan dhe nuk pati asnjë zyrtar që u përgjigj përpara ligjit, kjo është dekuarajuese.

A ka shkelje gjatë fushatës? Çdo ditë ka qindra shkelje. Në çdo ditë shohim fushatën e kandidatëve dhe burimet zyrtare janë që prej orës 08:00 të mëngjesit. Ju shikoni titullarin kryesor të qeverisë, e nis gjithë ditën me aktivitete partiake, nuk ka asnjë aktivitet shtetëror. Kemi zyrtarë të niveleve të larta që nuk kanë dhënë dorëheqjen nga postet e enteve publike. Le të shohim një vendim që dënohet dikush dhe më pas të kërkojmë nga qytetarët të reagojnë”, deklaroi Afrim Krasniqi.

Zgjedhjet e 25 prillit, problematikat që ka pikasur Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit diskutoi në “Absolut 4” për vështirësitë që kanë pikasur deri më tani lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.

Skëndaj shprehet se fushata ka nisur më herët nga sa parashikon Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë krijuar ngarkesë për KQZ, të cilin e konsideron një rregullator më profesional dhe të depolitizuar.

“Tashmë është një fakt i njohur që fushata zgjedhore edhe pse sipas Kodit Zgjedhor duhet të nisë një muaj para zgjedhjeve, ka nisur më herët, dhe është ndjerë që nuajin shtator dhe tetor të vitit të kaluar.

Ka një problematikë, përveç problemeve të përsëritura në zgjedhjet e shkuara, që vjen si rezultat i polarizimit të tejskajshëm politik që po ndihet ndoshta edhe më fort se në zgjedhjet e kaluara. Ka dhe një problematikë tjetër që vjen nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Komisioni i Venecias rekomandon se ato nuk duhet të zhvillime në më pak se një vit para zgjedhjeve. Ato ndodhën 9 muaj para ditës së zgjedhjeve dhe sollën problem që nga mënyra sesi KQZ e re, e cila është tërësisht e riformatuar, që u krijua vetëm në tetor të vitit të kaluar dhe u përball me një ngarkesë të madhe. Kjo solli jo pak vështirësi në punën e këtij institucioni i cili po përballet ende sot me një volum shumë të lartë dhe ngarkesë të konsiderueshme për mënyrën sesi po administron e procesit zgjedhor.

Mund të them që shohim një rregullator disi të depolitizuar dhe në tërësi profesional. Jemi në fazat më të hershme të identifikimit të problemeve, vota e emigrantëve është lënë jashtë diskursit.“ (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos