
Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit diskutoi në “Absolut 4” për vështirësitë që kanë pikasur deri më tani lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.
Skëndaj shprehet se fushata ka nisur më herët nga sa parashikon Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë krijuar ngarkesë për KQZ, të cilin e konsideron një rregullator më profesional dhe të depolitizuar.
“Tashmë është një fakt i njohur që fushata zgjedhore edhe pse sipas Kodit Zgjedhor duhet të nisë një muaj para zgjedhjeve, ka nisur më herët, dhe është ndjerë që nuajin shtator dhe tetor të vitit të kaluar.
Ka një problematikë, përveç problemeve të përsëritura në zgjedhjet e shkuara, që vjen si rezultat i polarizimit të tejskajshëm politik që po ndihet ndoshta edhe më fort se në zgjedhjet e kaluara. Ka dhe një problematikë tjetër që vjen nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Komisioni i Venecias rekomandon se ato nuk duhet të zhvillohen në më pak se një vit para zgjedhjeve. Ato ndodhën 9 muaj para ditës së zgjedhjeve dhe sollën problem që nga mënyra sesi KQZ e re, e cila është tërësisht e riformatuar, që u krijua vetëm në tetor të vitit të kaluar dhe u përball me një ngarkesë të madhe. Kjo solli jo pak vështirësi në punën e këtij institucioni i cili po përballet ende sot me një volum shumë të lartë dhe ngarkesë të konsiderueshme për mënyrën sesi po administron e procesit zgjedhor.
Mund të them që shohim një rregullator disi të depolitizuar dhe në tërësi profesional. Jemi në fazat më të hershme të identifikimit të problemeve, vota e emigrantëve është lënë jashtë diskursit". (A2 Televizion)