
Aksionet e ditëve të fundit antikorrupsion të firmosura nga SPAK kanë vënë para përgjegjësisë zyrtarë të lartë si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror.
Me disa nga njerëzit e tij të besuar të ulur tashmë në bankën e të akuzuarve, kryeministri Edi Rama vendosi që Partinë Socialiste të mos e përdorë si një ombrellë për të akuzuarit.
Pavarësisht distancimit të tij, gazetarët Aristir Lumezi dhe Aleksandër Çipa mendojnë se një pjesë e përgjegjësisë shkon edhe për të, pasi rastet kanë qenë të përsëritura.
“Kryeministri ka përgjegjësi për njerëzit që ka zgjedhur, që nga kryebashkiaku i Kavajës, ai i Durrësit apo edhe ky i Lushnjës, për të cilin kishte edhe më parë dyshime. Nuk ka çfarë bën, por të paktën duhet të kërkojë ndjesë përse njerëzit që ai zgjodhi dolën skarco”, u shpreh Lumezi për A2.
Ndërsa Aleksandër Çipa tha: “Politikisht, zoti Rama po goditet nga këto raste dhe sidomos nga pandëshkueshmëria. Derisa të kemi ndëshkueshmëri, atëherë përgjegjësia do të jetë e madhe”.
Lumezi mendon se kryeministri nuk ka rrugë tjetër veçse të mbeshtesë luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, pasi presioni i ndërkombëtarëve në këtë drejtim është shumë i madh: “Zoti Rama po bëhet pjesë e kësaj goditje antikorripsion dhe shpresoj që të jemi modeli i Rumanisë apo Kroacisë”.
Çipa ka pritshmëri më të larta për drejtësinë e re: “Opinioni ka pritshmëri për peshkun e madh”.
Gazetarët Lumezi dhe Çipa bien dakord që vënia në lëvizje e SPAK është një shenjë e ndarjes së politikës nga institucionet e drejtësisë. (A2 Televizion)