
Deputeti Belind Këlliçi, anëtar i Komisionit Hetimor për Inceneratorët, i cili këtë javë do të presë dëshmi nga politikanët më të rëndësishëm në vend, një prej të cilëve edhe Edi Rama. Ai u shpreh se në dëshmitë e dhëna, deri tani, ka pasur raste nga më të çuditshme dhe këtu përmendi edhe administratorin e inceneratorit të Fierit.
“Ka pasur raste nga më të çuditshmet nga dëshmitarët, ka pasur amnezi, kanë pasur probleme me memorien. Për shembull, rasti i administratorit të inceneratorit të Fierit, i cili nuk mbante mend nga kishin shkuar 21 milionë euro që janë në fatura. Ai tha që nuk i mban mend. Kjo është një aferë në kufijtë e absurdit nga ana e zbatimit të ligjit. Kjo aferë ka nxjerrë në pah arrogancën dhe paaftësinë e qeverisë”, tha Këlliçi.
Ai u shpreh më tej se zyrtarët kanë frikë të dëshmojnë në komision, pasi ndryshojnë dëshminë. Në fund, Këlliçi theksoi se raporti i Komisionit do të dorëzohet në SPAK. Për inceneratorët, opozita është e bërë bashkë, tha Këlliçi. (A2 Televizion)