
Në një intervistë për BBC World News, kryeministri Edi Rama tha se asnjë shtet i pasur nuk ka ofruar mbështetje për Shqipërinë në akomodimin dhe mbajtjen e qytetarëve afganë. Rama tha se po mbështetemi vetëm tek organizatat dhe solidariteti i shqiptarëve.
Duke përdorur një shprehje frazeologjike shqiptare “bukë, kripë e zemer të bardhë”, Rama u shpreh se mikëpritja është një traditë e vjetër shqiptare.
“Nuk jemi shtet i pasur. Ne kemi qenë në këtë pozitë jo shumë kohë më parë. 30 vite më parë ishim ne afganët që përpiqeshin t’i largoheshin ferrit të tyre, për të mbërritur në Evropë, në brigjet italiane. Ka qenë mjaftë e ngjashme sa i takon udhëtimit, sa i takon dhimbjes dhe ankthit të së panjohurës para nesh.
Jemi shumë të prirur që ta bëjmë këtë, pasi kjo nderon traditën tonë, na nderon ne vete. Po bëjmë diçka që unë besoj se ua detyrojmë fëmijëve tanë që ata të rriten me besimin që në këtë jetë ka një kohë të japësh dhe një kohë kur ti merr. E përsëris ne nuk jemi vend i pasur, por jam shumë besimplotë se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz dhe se do të jemi së bashku.
Natyrisht që nuk jemi të vetëm. Ka shumë organizata që po kujdesen për ta e që kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i nxjerrë prej vendit të tyre dhe janë mjaft të gatshme ti shoqërojnë në këtë pjesë të rrugëtimit. Ne për momentin po mbështetemi vetëm tek bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Nga vendet e pasura jo. Është një numër i konsiderueshëm njerëzish nga SHBA, Britania që e kanë zemrën e pasur. Kemi një thënie ne në Shqipëri, që është bukë e kripë e zemër, është thelbi i solidaritetit. Kurrë nuk do tu mungojë buka, kripa e zemra.
Për pjesën tjetër, do ia dalim. Nuk do të zhdukemi nga faqja e tokës sepse refugjatë që përpiqen ti ikin vdekjes po na trokasin në derë”i tha kryeministri Rama gazetarit Ben Boulos. (A2 Televizion)