
Shëndetësia ishte një nga shtyllat e fushatës së kryeministrit Rama për mandatin e dytë qeverisës. Në muajt e fundit të tij, kryeministri Edi Rama përuroi qendrën e re të kontrollit të barnave, modernizimi i së cilës sipas tij, ka rritur ndjeshëm cilësinë dhe kapacitetet e analizave.
“Totali i analizave që mund të kryente laboratori i trashëguar nga komunizmi ishte deri në 300, sot është të paktën dyfishi”, deklaroi Rama gjatë përurimit.
Bilanci për shefin e qeverisë, ka qenë pozitiv, duke kursyer nga xhepat e shqiptarëve para për ilaçe që për vite me radhë i blinin shumë më shtrenjtë. “Në total janë mbi 8 milionë euro të kursyera nga xhepi i familjeve, çdo vit”, shtoi Rama.
Edhe këtu Rama nuk la rast pa thumbuar kundërshtarët. “Sa herë ndërhymë në një godinë fizike, akuza nga “gjumi” është se bëhet fjalë për fasadë, dhe të lesh laborantët që punojnë këtu në kushte mizerje, qenka normale”, vijoi kryeministri.
Ministrja Manastirliu shpjegoi gjithashtu se tashmë regjistrimi i barnave do të bëhet online, duke shmangur edhe rastet e korrupsionit. (A2 Televizion)