Agonia e presionit nga SHBA, Basha zgjedh amerikanët duke “tradhtuar” Berishën

Nga A2 CNN
10 Shtator 2021, 15:43 | Politikë
Agonia e presionit nga SHBA, Basha zgjedh amerikanët duke

Pas tërmetit elektoral që shkaktoi humbja e tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare, selia e Partisë Demokratike u shkund nga themelet pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të shpallur non grata liderin historik të PD-së, shoqëruar me presionin për larguar atë nga grupi parlamentar i forcës politike që kishte themeluar vite më parë.

Gjithçka nisi në 19 maj, kur Sekretari Amerikan i Shtetit bëri publik në rrjetet sociale vendimin e tij kundër Berishës dhe familjes së tij.

Lulzim Basha në qëndrimin e parë u duk në krah të Berishës duke nënvizuan se duhen paraqitur prova. “Bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA-në në nivelet më të larta”, shprehej Basha.

Kjo ishte edhe deklarata e vetme e kryedemokratit për këtë çështje pasi stafetën e udhëheqjes së debatit publik e mori Berisha në dorë. “Kam vendosur të padisë sekretarin amerikan të shtetit. Ky është një vendim i kundërshtarëve të mi politik”, shprehej Berisha.

Qëndrimet publike të Berishës nuk kaluan në heshtje nga SHBA-ja. Në selinë e PD-së trokiti zëvendësndihmëssekretar amerikan i shtetit, Philip Reeker i cili i kërkoi direkt Lulzim Bashës përjashtimin e Sali Berishës. Takimit me dyer të mbyllura i dha zë pak kohë më pas ambasadorja amerikane e cila ishte ende në pritje të një përgjigje nga Basha.

Përballë këtij presioni gjithnjë e më të fortë, strategjia e Lulzim Bashës dukej heshtja, për t’i lënë kohë shpresës se Sali Berisha do të reflektonte duke ia hequr edhe këtë herë pataten e nxehtë nga duart kryetarit, përmes largimit vullnetar. Nuhatja që vjen me përvojën nxiti liderin historik të demokratëve të fliste në emër të Bashës, duke e vënë ata para faktit të kryer që i prishte skemën e heshtjes.

10 shtatori ishte afati i fundit që amerikanët i kishin vënë Lulzim Bashës për të marrë një vendim që mungoi për muaj të tërë. Pikërisht atëherë kur çdokush e kishte ndarë mendjen se kryetari do të vijonte të ishte në krah të Berishës, Basha kishte programuar vrasjen publike të babait të tij politik përmes një videomesazhi të regjistruar, që u transmetua si surprizë mbrëmjen e 9 shtatorit, pak orë para nisjes së legjislaturës së re.

“Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacenueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë. Nga ana ime prej dy muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Basha.

Tashmë marrëdhënia Berisha-Basha është futur në një kapitull të ri që shënon edhe krizën më të madhe politike brenda selisë së PD-së. Ish-kryetari ka lajmëruar publikisht ndërmarrjen e hapave konkretë për të rimarrë kontrollin e partisë.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/09/10/vendimi-i-bashes-per-berishen-reagon-ambasada-amerikane-ne-tirane/
https://a2news.com/2021/09/10/mos-e-befsh-piken-e-hajrit-basha-pritet-me-protesta-ne-seli/
https://a2news.com/2021/09/10/berisha-kompromisi-basha-rama-eshte-nul-do-te-jete-e-afert-dita-kur-pd-do-te-shporre-kete-klike-sunduese/
https://a2news.com/2021/09/10/perjashtimi-i-berishes-rama-e-shkuara-nuk-eshte-halli-im-dora-e-shtrire-ndaj-pd/

A2 CNN Livestream

Latest Videos