Dy persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një autobus është përmbysur në një rrugë të pjerrët malore në Turqi. Pamjet rrëqethëse tregojnë momentin kur autobusi që transportonte personelin ushtarak humbet kontrollin si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe rrokulliset në anë të rrugës.
“Dy pasagjerë humbën jetën në aksident dhe 44 të tjerë, përfshirë shoferin e autobusit, u plagosën rëndë si pasojë e përplasjes së fortë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të vendit.
Autobusi vinte nga qyteza e Balveren për në provincën lindore Sirnak të Turqisë, jo shumë larg kufirit me Irakun. Video e shpërndarë nga mediat turke tregon momentin kur drejtuesi i autobusit, pasi parakalon disa makina dhe një kamion, nuk arrin ta mbajë kontrollin e mjetit në një kthesë të fortë, e për pasojë autobusi batohet në anë të rrugës.
CNNTURK raporton se, ambulancat dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë. (A2 Televizion)






