Aksident në aksin Elbasan-Peqin, humb jetën vajza 8 vjeçare

Nga A2 CNN
17 Qershor 2023, 17:55 | Kronikë

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një vajze të mitur 8 vjeçare ka ndodhur në aksin Elbasan-Peqin, ndërsa të plagosur kanë mbetur dhe 5 persona të tjerë.

Aksidenti ka ndodhur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, pranë fshatit Bishqem, ku njëri prej mjeteve ishte me targa të Gostivarit.

Viktima ka qenë duke udhëtuar në makinë me nënën dhe motrën e saj po të mitur.

Drejtuesja e mjetit tip “Golf” është identifikuar si Trendelina Behari, 40 vjeç, nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut.

E plagosur në aksident ka mbetur e bija e saj 11-vjeçare me iniciale R.K., ndërsa u shua në aksident vajza tjetër e familjes me iniciale A.K..

Policia bën me dije se automjeti tip “Golf” është përplasur me makinën e shtetasit Agron Hasa nga Kavaja, i cili udhëtonte me bashkëshorten Hyjrie Hasa dhe të birin 9-vjeçar me iniciale E.H., të cilët kanë mbetur të plagosur.

Përplasja ka qenë e fortë dhe shkak dyshohet lagështira në rrugë dhe shpejtësia duke bërë që mjeti tip “Golf”, i cili drejtohej nga 40-vjeçarja, të përfundojë mbi barrierën e rrugës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Paulesh, shtetasja T. B., duke drejtuar automjetin tip "Golf", është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një shtetase e mitur 8 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtuese shtetasen T. B.

Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasja T. B. dhe vajza e saj 11 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.  Janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, edhe shtetasi A. H. dhe 2 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos