Operacion antidrogë në Korçë, nisin hetimet për 43 persona

Nga A2 CNN
17 Qershor 2023, 11:03 | Kronikë
Operacion antidrogë në Korçë, nisin hetimet për 43

Në kuadër të një operacioni antidrogë kanë nisur hetimet për 43 persona në Korçë. Bëhet e ditur se pas hetimeve gjashtëmujore për operacionin e koduar policor "Knock Down 3", 10 persona janë ndaluar, 6 janë vënë në pranga, tre janë shpallur në kërkim dhe 24 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Gjatë këtij operacioni, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë janë lëshuar 13 masa sigurie "Arrest në burg", nga të cilat strukturat hetimore në bashkëpunim me Forcat e Posaçme "Shqiponja" të DVP Korçë kanë ekzekutuar 10 masa ndalimi.

Më konkretisht, të ndaluar me masë sigurie "Arrest në burg" janë Piro Papapetro, Petrit Arixhiu, Bledar Repa, Taulant Repa, Ermal Bezhani, Markelian Kamenica, Enea Frashëri, Gentian Koçoli, Devis Xhaholli dhe Martin Kosturi.

Kursë, në flagrancë u arrestuan, Isuf Durmishllari, Minella Pleqi, Gjergji Renja, Ardi Sterjo, Donald Qemal dhe Nikola Lara.

Në kërkim u shpallën E. K; M. D; dhe E. N.

Gjatë operacionit "Knock Down 3", siç njofton policia, janë sekuestruar 388 gramë kokainë e ndarë në doza, 9 kilogramë kanabis, 1 armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak, 9 automjete, 28 aparate celularë, 6 peshore elektronike, një sasi në lekë dhe në euro, të përfituara nga veprimtaria kriminale, fidanë të kultivuar në gota plastike dhe 2 llamba neon led. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos