Aksident në parkun ujor në Francë, humb jetën 35-vjeçari, i biri 3 vjeç në gjendje të rëndë

Nga A2 CNN
31 Korrik 2023, 12:39 | Bota
Aksident në parkun ujor në Francë, humb jetën

Një 35-vjeçar ka humbur jetën dhe fëmija i tij tre vjeç mbeti i lënduar rëndë të dielën në Francë pas një aksidenti në një park ujor.

Mediat në vend raportojnë se një strukturë me ajër rreth 20 metra e lartë në parkun ujor Wonderland në qytetin turistik të Saint-Maximin-la-Sainte-Bomme, plasi duke hedhur 50 metra në ajër dy personat që ndodheshin brenda.

Kur mbërritën mjekët, babë e bir ishin në arrest kardiak. Mjekët e ndihmës së shpejtë arritën t’ua rivendosin zemrat në punë dhe ata u transportuan me helikopter në spital. Por, për fat të keq, 35-vjeçari nuk mundi të mbijetonte.

"Si një park detar që e mirëpritëm në vendin tonë për t'u sjellë gëzim dhe lumturi fëmijëve, mund të shndërrohej në një makinë vdekjeje që copëtoi një familje.; Kështu do të na tregojë hetimi”, i cili po kryhet nga prokuroria e Draginyan, shkroi kryebashkiaku i qytetit në Facebook .

Sipas shërbimit meteorologjik dje në zonë ka fryrë era me shpejtësi 55 kilometra në orë. I gjithë rajoni ishte në alarm të kuq për zjarre për shkak të erës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos