
I shpallur si viti i sigurisë rrugore, 2020 nuk ndryshon shumë nga vitet e mëparshme ku kurba e aksidenteve vijon të jetë në rritje.
Ndonëse numri i automjeteve në lëvizje u ul për shkak të pandemisë, nuk rezultoi kështu edhe për aksidentet e rënda. Vetëm gushti la pas një bilanc me 195 aksidente dhe 24 viktima sa i përket ngjarjeve rrugore.
Nga të dhënat e policisë, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar, kanë ndodhur 43 aksidente më shumë e për pasojë edhe 2 jetë të humbura më shumë se e njëjta periudhë e 2019-s.
Nga ana tjetër rritja e numrit të aksidenteve është shoqëruar dhe me rritjen e numrit të gjobave, të cilat mesa duket nuk kanë ndaluar ngjarjet rrugore.
Vetëm në këtë muaj policia ka vendosur rreth 5 mijë masa më shumë se një vit më parë ndërsa shumica e gjobave janë për parakalim të gabuar si dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit. (A2 Televizion)