
Ajas Sulejmani, shoferi i mjetit që aksidentoi një çift bashkëshortësh dhe foshnjen e tyre 3-muajshe në muajin maj në Tiranë, është liruar nga qelia.
Gjykata e kryeqytetit vendosi të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur më herët ndaj tij në atë të “arrestit në shtëpi”. Sipas burimeve pranë gjykatës, ndryshimi i masës së sigurisë ndaj Sulejmanit, u argumentua me normalizimin e marrëdhënieve mes tij dhe të lënduarve në aksident.
39-vjeçari Sulejmani u arrestua pak orë pas aksidentit të 8 majit, në një nga kalimet e këmbësorëve në Rrugën e Kavajës. Mjeti Mercedes G Class i drejtuar prej tij u fut me të kuqe në semafor, duke marrë para familjen Konomi që po kalonte në vijat e bardha. Pas arrestimit, shoferi i akuzuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasoja të rënda, “drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, si edhe për “largim nga vendi i aksidentit”, pretendoi se në momentin e ngjarjes po ecte me 40 km/h. Ai pretendoi se i kishte shkelur frenat, por sistemi i frenimit nuk kishte funksionuar.
Në të njëjtin deklarim, ai mohoi të ishte larguar nga vendi i aksidentit, por, sipas tij, kishte nxituar të dërgonte në një spital privat vajzën e tij të mitur, që ndodhej në mjetin e tij. (A2 Televizion)