
Aksionet e IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare kanë nisur mëngjesin e kësaj të hëne në plazhin e Velipojës dhe qytezën e Ksamilit në jug të vendit. Janë 45 objekte të identifikuara nga IKMT në të dy këto zona, të cilat do të prishen. 15 prej tyre janë në zonën e Velipojës, ndërsa 30 ndërtime të tjera në Ksamil.
Aksionet e nisura njëkohësisht në Velipojë dhe Ksamil nuk kanë hasur në kundërshti të pronarëve të objekteve, shumica e të cilëve janë të ndërgjegjshëm se objektet i kanë pa leje.
Ndërsa ka pronarë hotelesh në Ksamil, të cilët pretendojnë se godinat e tyre janë të ndërtuara prej vitesh dhe disponojnë lejet përkatëse.
Sakaq ky operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje pritet të shtrihet edhe në bregdetin që administrohet nga bashkia e Himarës. (A2 Televizion)