
Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Ky ishte reagimi i parë i presidentit Hashim Thaçi, që kur zyra e prokurorit special në Hagë bëri publike aktakuzën për krime lufte kundër tij dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Ky i fundit reagoi menjëherë pas njoftimit, duke i cilësuar si politike dhe të pabaza pretendimet e prokurorit special. Kreu i shtetit, ka vendosur gjithashtu logon e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në kopertinën e faqes së tij në Facebook.
Ndërkohë, presidenti kosovar ka njoftuar se ka mbërritur në Tiranë, në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe se ditën e dielë do t’i drejtohet popullit kosovar me një fjalim.
Aktakuza kundër Thaçit, çoi në dështimin e takimit të shumëpritur mes Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, ndërsa si presidenti ashtu edhe kryeministri Hoti, njoftuan se nuk do të merrnin pjesë. Duke iu përgjigjur kërkesës së kreut të ekzekutivit të Kosovës, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara Richard Grenell tha se priste me padurim të caktonte një takim tjetër.
Por ndërsa rifillimi i dialogu nën patronazhin e SHBA mbetet tashmë pa një datë, ai i ndërmjetësuar nga BE pritet të nisë në korrik. Zëdhënësi i KE, Peter Stano tha të enjten se nuk ka alternativë tjetër, dhe se bisedimet duhet të nisin muajin e ardhshëm. (A2 Televizion)